Shpend Ahmeti

E-mail: shpend.ahmeti@rks-gov.net

Tel: 038 234 944

 

Shpend Ahmeti ka lindur më 18 prill 1978 në Prishtinë.

Ka përfunduar studimet master në Politika Publike në Universitetin e Harvardit, SH.B.A, gjatë viteve 2002 – 2004, duke specializuar në Zhvillimin Politik dhe Ekonomik. Studimet universitare i ka përfunduar në Ekonomi dhe Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari, gjatë viteve 1996 – 2000, duke specializuar në Ekonomi të Aplikuar dhe Administrim Biznesi.

Gjatë kohës së studimeve 1999-2002, Shpendi ishte senator dhe më pas Kryetar i Qeverisë Studentore në Universitetin Amerikan të Bullgarisë , si dhe udhëheqës i komuniteteve të ndryshme (nga më shumë se dhjetë vende) përgjatë një periudhe të reformave në universitet. Në universitetet amerikane, angazhimi në Qeveri studentore është eksperienca që ndërthur dijen, organizimin, përballjen për mbrojtjen e të drejtave dhe përgjegjësinë e besimin nga shokët dhe kolegët.

Prej vitit 2005 Shpendi është ligjërues i Politikave Publike dhe Politikave Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan këtu në Kosovë (AUK).

Përveç gjuhës amtare shqipe, Shpendi flet atë angleze, serbo-kroate, maqedone, bullgare dhe ka njohuri të gjuhës gjermane.

Është fitues i disa çmimeve e shpërblimeve si World Bank Spot Award dhe i atij në European Debating Championships.

Shpendi jeton në Prishtinë me bashkëshorten, Ardianën, dhe dy fëmijët, Tean dhe Anrin. Ka qenë Nënkryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Përgjegjësitë e Kryetarit të Komunës

Kryetari i Komunës, në pajtim me dispozitat e LVL - së dhe Statutit të Komunës, është përgjegjës të:

  1. përfaqësojë Komunën dhe vepron në emër të saj;

  2. udhëheqë ekzekutivin e Komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyrë administrimin financiar të Komunës;

  3. ushtrojë të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite Kuvendit të Komunës apo komiteteve të tij;

  4. ekzekutojë aktet e Kuvendit të Komunës;

  5. emërojë dhe shkarkojë zëvendësin e tij/saj;

  6. emërojë dhe shkarkojë drejtorët, të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave;

  7. organizojë punën dhe të drejtojë politikën e Komunës;

  8. propozojë rregullore apo akte të tjera për miratim në Kuvendin e Komunës;

  9. propozojë zhvillimin komunal, planet rregulluese dhe investuese, propozon buxhetin vjetor për miratim në Kuvendin e Komunës dhe ekzekuton buxhetin e miratuar;

  10. raportojë para Kuvendit të Komunës për situatën ekonomike – financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të Komunës, së paku një herë në gjashtë muaj, apo kurdoherë që kërkohet nga Kuvendi i Komunës;

  11. kërkojë që Kuvendi i Komunës ta shqyrtojë një akt komunal para hyrjes në fuqi, kur konsiderohet se akti bie në kundërshtim me legjislacionin në zbatimin, apo interesin e komuniteteve;

  12. mbikëqyrë administrimin e përgjithshëm financiar;

  13. delegojë përgjegjësi te anëtarët e Këshillit të Drejtorëve dhe të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive të deleguara;

  14. të bëjë ndryshime në lidhje me funksionimin dhe numrin e drejtorive dhe funksionet e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi

    të kryejë përgjegjësi të tjera të përcaktuara nga Kuvendi i Komunës.