Gara "Fizikantët e rinj"

- 19 Apr 2018

Sot, më 19 prill 2018, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Shoqatën e Fizikanëve të Kosovës, organizuan garën e “Fizikanëve të Rinj” në nivel komune. Gara u zhvillua me nxënësit e klasave të IX, X, XI dhe të XII, nga të gjitha institucionet edukativo-arsimore të nivelit të arsimit parauniversitar.

Në garën e fizikanëve të rinj, secila shkollë u përfaqësua me nxënës që kanë treguar rezultate të larta në garën në nivel shkolle. Ndërsa, nxënësit që do të shënojnë rezultate të mira në nivel komune do të përfaqësojnë Komunën e Prishtinës në nivel vendi, më 05 maj 2018, garë kjo që do të mbahet në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore (Departamentin e Fizikës), të Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”.

Qëllimi dhe organizimi i garës me karakter të tillë, është në funksion të përmirësimit të cilësisë në arsim, nxjerrjes në pah të shkathtësive dhe kompetencave të arritura nga nxënësit në shkencën e fizikës, identifikimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e tyre drejt avancimit dhe zhvillimit profesional.

Drejtoria e Arsimit, në kontekst të zhvillimit, ngritjes dhe përmirësimit të cilësisë në arsim, ka ndërmarrë veprime konkrete në shumë dimensione që garantojnë progres në ngritje të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, duke përmirësuar infrastrukturën shkollore, pajisjen e shkollave me kabinete, laboratorë dhe mjete të ndryshme dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, në mënyrë që të kemi një mësimdhënie cilësor dhe të jemi në hapë me trendët dhe zhvillimet ndërkombëtare.