Kryeqyteti vendosë standard të ri në transparencë – hapë kontratat

- 15 Aug 2018

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, publikoi sot platformën më të re digjitale “Kontratat e Hapura”, platformë kjo që vendosë standard të ri të transparencës në Kosovë dhe jo vetëm. Secila kontratë e nënshkruar, me të gjitha detajet, që nga fillimi i procedurave të prokurimit e deri tek realizmi i kontratës, do të jetë online dhe e qasshme për të gjithë.

http://kontratatehapura.prishtinaonline.com/

Kjo platformë është punuar në dy module, një për strukturën menaxheriale të institucionit dhe një për publikun. Kësisoj, përveç që mundësohet qasja shumë e lehtë e të gjithë qytetarëve në këto dokumente, rregullohet dhe përshpejtohet edhe më tutje menaxhimi i kontratave nga ana e zyrtarëve komunal. Në platformë, përveç që shihen procedurat dhe detajet e kontratave, shënjohet edhe dinamika e realizimit të secilës kontratë: me ngjyrë të gjelbër dallohen kontratat e përfunduar në kohë; me ngjyrë të verdhë ato që janë gati në fund të afatit kohor; dhe me ngjyrë të kuqe kontratat që kanë kaluar kohën e paraparë dhe nuk janë përfunduar ende. Kjo e shton përgjegjësinë publike edhe të institucionit për t’i ndërmarrë masat e duhura, edhe të kompanive për t’i përfunduar me kohë punimet.

Kryeqyteti i Kosovës vazhdon të jetë lider në transparencën institucionale, dhe të vlerësohet si i tillë nga shumë organizata dhe institucione. Duke qenë kështu, në fund të shtatorit jemi ftuar në garën për Kryeqytetin më transparent në Evropë, që do të mbahet në Sllovaki.

Platforma “Kontratat e Hapura” është projekt i realizuar nga Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosovo, mbështetur nga UNICEF-i dhe ADA. Hapat e parë drejt këtij niveli të transparencës ishin Prishtina Digjitale, Platforma Digjitale për Participim Publik dhe Prishtina Open Data.