Ahmeti paditë Vetëvendosjen për shpifje

- 12 Feb 2019

Kryetari Shpend Ahmeti ka ushtruar sot padi ndaj partisë “Lëvizja Vetëvendosje” për shpifjet e vazhdueshme që i kanë bërë ndaj tij dhe Komunës, me theks të veçantë në rastin e furnizimit të shkollave me qumësht për nxënësit..

“Ata e kanë shpallur vetën edhe gjykatës. Të gjitha ato që i kanë thënë për furnizimin me qumësht, kanë qenë në kohën kur kemi qenë bashkë, por për ta më nuk ka rëndësi as paraja publike e as e vërteta. Do të ishte mirë që kjo padi të shkonte për personin që i organizon të gjitha këto shpifje, por ai është mësuar ta gjuajë gurin e ta fsheh dorën. Prandaj, sot padinë po e bëjmë ndaj partisë së tij”, tha Kryetari Shpend Ahmeti, në deklarimin e tij për media.

Ai shtoi se sa i përket atij tenderi, të gjitha procedurat kanë qenë të hapura, dhe Komuna e Prishtinës ka paguar çmimin më të ulët të mundshëm për furnizim me qumësht (p.sh. Prizreni i udhëhequr nga VV-ja paguan 20 cent më shumë për litër).

Ahmeti i bëri thirrje Gjykatës që sa më parë ta trajtojë këtë rast, në mënyrë që të eliminohen spekulimet për këtë çështje. “Le të veprojë Gjykata ashtu që të ndalen shpifjet, sidomos të atyre njerëzve që janë paraqitur dhe kanë ushtruar kinse kallëzim penal ndaj meje; të cilët njihen për hajni në Vetëvendosje dhe kanë qenë të dënuar për këtë gjë nga partia e tyre, e sot janë instrumentalizuar për të na sulmuar neve”, tha në fund Ahmeti.

Për secilin qumësht që dërgohet në shkollë, ka evidencë dhe nënshkrim nga ana e përgjegjësit të shkollës. Kësisoj, dihet saktë se sa para shpenzohen për këtë furnizim, çdo ditë.