Për funksionim normal të bizneseve, pa i penguar qytetarët

- 15 Feb 2019

Me ndërmjetësimin e Komunës së Prishtinës, u mbajt takimi i katërt me radhë në mes të përfaqësuesve të banorëve dhe atyre të Shoqatës së Gastronomëve të Prishtinës. Qëllimi i këtyre takimeve ishte arritja e një marrëveshjeje për funksionim normal të bizneseve, pa i penguar banorët përreth.

Pas diskutimeve të gjata, të detajuara, lidhur me organizimin e këtij sektori, banorët dhe gastronomët arritën marrëveshje të përkohshme lidhur me oraret e lokaleve afariste (kafeterive), deri në miratimin e Rregullores përkatëse në Kuvend Komunal.

Çdo të hënë, të martë, të mërkurë, të enjte dhe të diel, ato do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në ora 23:00; kurse çdo të premte dhe të shtunë do t’iu mundësohet zgjatja e orarit deri në ora 00:00.

Ky orar, nuk nënkupton prishjen e rendit dhe qetësisë publike, që saktësohet me ligj dhe mbikëqyret nga Policia e Kosovës. Komuna, përmes Drejtorisë së Inspekcionit, do të kujdeset për zbatimin e këtij vendimi të përkohshëm, pra për respektimin e këtij orari.

Takimet mes banorëve, gastronomëve, përfaqësuesve të Komunës dhe Policisë, do të jenë të rregullta.