Nagavci viziton shkollat “Meto Bajraktari” dhe “Kalabria”, interesohet për shfrytëzimin e dollapëve

- 27 Feb 2015

Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci dhe udhëheqësja e kabinetit të kryetarit, Fitore Pacolli, vizituan shkollat “Meto Bajraktari” dhe “Kalabria” për t’u informuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit mësimorë, mirëpo edhe që të inspektojë përdorimin e dollapëve të vendosur nëpër shkolla si dhe gjendjen e tyre.

Me këtë rast, drejtoresha Nagavci foli edhe për cilësinë, mirëmbajtjen dhe obligimin për përdorimin e dollapëve të vendosur në klasat e shkollave.
“Sa i përket cilësisë, kontraktuesi ka një kontratë shumë specifike dhe të detajuar, si dhe ka për obligim që t’i përmbahet asaj kontrate. Përveç kësaj, ka për obligim që përgjatë një viti të mbajë përgjegjësinë për ndonjë renovim në rast të ndonjë dëmtimi eventual”, tha Nagavci.
Ajo kërkoi nga menaxherët e shkollave që çdo informatë ta paraqesin në Drejtorinë e Arsimit apo edhe në raste të caktuara që t’i drejtohen drejtpërdrejtë kompanisë së kontraktuar që të sanojë ndonjë dëmtim eventual të dollapëve. Mirëpo, Nagavci u shpreh se është e rëndësishme që këta dollapë të shfrytëzohen, ashtu siç janë planifikuar, në mënyrë që nxënësve t’ju lehtësohen çantat.
“Në rast se është e nevojshme do të caktohen edhe takime të përbashkëta me mësimdhënës, ku do të bëhet një planifikim se cilët do të jenë librat që nxënësit do t’i marrin në shtëpi dhe cilët mund të vendosen nëpër dollapë ngaqë qëllimi i vendosjes së këtyre dollapëve është lehtësimi i çantave për nxënësit, për filloristët që vijojnë mësimin nga klasat I – V pasi që është e vërtetuar shkencërisht që nuk lejohet që pesha e çantës të tejkalojë 1/3 e peshës trupore të nxënësit. Kështu që nëse kanë ndonjë problem, atëherë duhet të ulemi të diskutojmë se cilat janë arsyet dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim. Mirëpo, nuk lejohet që dollapët të mos përdoren, ngaqë është investuar dhe të shfrytëzohen për qëllimin për të cilin janë vendosur”, tha Nagavci.
Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, njofton se në të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës, do të identifikohen të gjitha nevojat e tyre për vitin e ardhshëm shkollor, në mënyrë që të pranohet të gjitha kërkesat para se të përcaktohen prioritetet për vitin 2016 – 2017.
“Në deri më tani kemi pranuar kërkesa të ndryshme, mirëpo do ta vizitojmë çdo shkollë që t’i shqyrtojmë këto kërkesa veç e veç në mënyrë që të krijojmë kushte të barabarta për nxënësit në secilën shkollë, pavarësisht se në cilën lagje ose fshat ndodhet ajo”, tha Nagavci.