Inspektimi i punës në Bashkësitë lokale të Prishtinës

- 07 Nov 2014

Sot Drejtori i Drejtorisë së Administratës, Muhedin Nushi, vizitoi bashkësinë lokale, e cila ndodhet afër “Xhamisë së Llapit” dhe bashkësinë lokale në Ulpianë, me qëllim që të njihet prej së afërmi me mbarëvajtjen e punëve në këto bashkësi.

Gjatë kësaj vizite, qytetarë u shprehën shumë të kënaqur me efikasitetin e shërbimeve. Madje, ata u shprehën se sa i përket shërbimeve administrative, Komuna e Prishtinës i ka tejkaluar standardet e pritura nga ta, pasi që procedura për t’u pajisur me një dokument përkatës, nuk zgjat më shumë se pesë minuta.
 
Në bashkësinë lokale tek “Xhamia e Llapit”, vetëm brenda një dite janë shënuar 97 kërkesa të qytetarëve,  që nga fillimi i ofrimit të transportit publik falas, për linjat 3 dhe 4.
 
Ndërsa, gjatë vizitës në bashkësinë lokale në “Ulpianë”, gjithashtu u konfirmua se janë shtuar kërkesat për t’u pajisur me vërtetimin mbi vendbanimin, dokument i cili duhet të dorëzohet nga pensionistët në “Trafikun Urban” (përballë Fakultetit të Bujqësisë) bashkërisht me një fotografi dhe një kopje të letërnjoftimit për t’u pajisur me biletën që ua siguron transportin publik falas pensionistëve.
 
Kohë më parë, është bërë shpërndarja e vulave rrethore në të gjitha bashkësitë lokale të Komunës së Prishtinës. Gjithsej 28 vula rrethore janë prodhuar për nevojat e bashkësive lokale, me të cilat do të vulosen 13 vërtetime që bashkësia lokale ka autoritet që t'i lëshojë.
 
Vizita të ngjashme, me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve që iu ofrohen qytetarëve, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.