Hysen Durmishi: Së shpejti fillon ndërtimi i platosë te “Kurrizi” në lagjen “Dardania”

- 18 Jun 2015

“Në lagjen “Dardania” gjatë këtij viti ne kemi planifikuar t’i realizojmë katër projekte kapitale, dy prej të cilave kanë filluar së realizuari, parku të cilin jemi duke e ndërtuar prapa përmendores së Bill Klintonit dhe i kemi tri plato. Platonë e kurrizit që është një projekt shumë i madh, platonë tek PTK’ja si dhe platoja tek çerdhja “Lulevera”. Platoja e kurrizit si një projekt më i madh i lagjes dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm që ka zgjatur si procedurë. Mirëpo, tanimë është nënshkruar kontrata dhe janë përcaktuar menaxheri dhe mbikëqyrësit e këtij projekti, andaj së shpejti pritet të fillojnë punimet. Kurse në platonë tek PTK – ja tashmë kanë filluar punimet. Gjithashtu, janë duke u zhvilluar punimet edhe tek parku, ndonëse janë paraqitur disa probleme me disa pretendues të pronave private, mirëpo këto pengesa do të tejkalohen së shpejti dhe do të ndërtohet një park i bukur për këtë lagje”, tha drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës , Hysen Durmishi.
Banorët e pranishëm i falënderuan përfaqësuesit e Komunës për investimet në këtë lagje, si dhe kërkuan që të shqyrtohet mundësia që të riparohen edhe platotë e tjera që ndodhen në këtë pjesë të kryeqytetit, për të cilën gjë drejtori Durmishi tha se do të planifikohen investime gjatë viteve të ardhshme.
Po ashtu, të pranishmit kërkuan që të riparohen edhe lodrat për fëmijë që ndodhen në hapësira të përbashkët shkaku se ekziston rreziku që fëmijët të lëndohen. Njëkohësisht, ata falënderuan Komunën e Prishtinës për rregullimin e hapësirave të gjelbra dhe mbjelljen e fidaneve, mirëpo njëkohësisht kërkuan që të mos mungojë përkujdesja dhe të ujiten gjatë stinës së verës.
Një prej problemeve kryesore që i raportuan banorët e lagjes “Dardania” ishte mungesa e parkingjeve dhe uzurpimi i garazheve nga individë të ndryshëm. Lidhur me çështjen e parkingjeve drejtori Durmishi tha se është në pritje themelimi i ndërmarrjes “Prishtina Parking” që do të menaxhojë me parkingjet. Ndërsa sa i përket kërkesave për zgjerimin e disa rrugicave të caktuara në këtë lagje të kryeqytetit, Hysen Durmishi tha se Komuna e Prishtinës ka përfituar një donacion nga BERZH si dhe një kredi të butë ku krahas blerjes së autobusëve të rinj, parashihet edhe plani i mobilitetit i cili do të hartohet nga ekspertë të fushës dhe pas analizimit të situatës, do të vendoset se cilat rrugë do të zgjerohen dhe cilave do t’u ndryshohet kahja.
Një shqetësim tjetër i banorëve ishte çështja e sigurisë, respektivisht ata kërkuan që të informohen lidhur me mundësinë e vendosjes së kamerave nëpër banesat e tyre me qëllim të parandalimit të keqbërësve të ndryshëm.
Lidhur me këtë kërkesë, drejtoresha e Drejtorisë së Kadastrit, Nora Kelmendi tha se njëra prej projekteve të kësaj drejtorie është incizimi gjeodezik në të gjitha hapësirat e përbashkëta banesore.
“Ky incizim gjeodezik i përfshin të gjitha hapësirat e përbashkëta banesore. Për banesat e reja incizimet do të bëhen nga pronari para se të bëhen të banueshme ndërtesat. Ndërsa, për ndërtesat e vjetra incizimet do t’i bëjë Komuna. Këto incizime do të bëhen për të gjitha hapësirat, korridoret, siguresat elektrike, po ashtu edhe me parqet para banesave. Pasi që ta bëjmë incizimin gjeodezik, sipas ligjit, ju do të duhet ta formoni shoqatën e pronarëve që fillimisht duhet të regjistrohet dhe më pas duhet të bëhet edhe sigurimi i ndërtesës. Gjithashtu, duhet të zgjidhet administratori i çdo ndërtese, ndërsa të gjitha incizimet e hapësirave të përbashkëta do të jenë të regjistruara në kadastër”, tha Kelmendi.
Banorët e lagjes “Dardania”, po ashtu patën ankesa të shumta lidhur me ujësjellin “KUR Prishtina” si dhe për kompaninë “Pastrimi.