Jehona Lushaku Sadriu u lind në Prishtinë, në vitin 1980.
Studimet e doktoratës i përfundoi në Universitetin e Hanoverit të Gjermanisë, me temë: “Evropianizimi përmes kushtëzimit dhe deliberimit” në vitin 2019. Studimet master i përfundoi gjithashtu në Universitetin e Hanoverit, në drejtimin MA Integrime Evropiane - Jeann Monnet, kurse paraprakisht ka përfunduar dy fakultete në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike, si dhe atë të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.
Për sukses në studime dhe angazhim social, ajo është zgjedhur studente e vitit 2005 në Universitetin e Hanoverit, në ç’rast i është ndarë çmimi “Victor-Reizkallah”. Gjatë studimeve ka qenë bursiste e Konrad Adenauer Stiftung dhe ka përfunduar praktika profesionale në Parlamentin Evropian, Bundestag, Parlamentin e Landit të Saksonisë së Ulët dhe DW në Berlin.
Lushaku Sadriu, aktualisht është profesoreshë në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2013, ajo ka qëndruar një semestër në Universitetin e Salzburgut në Austri si ligjëruese mysafire në Qendrën e Studimeve Evropiane. Në mes të viteve 2010-2014 ajo ka ligjëruar në disa programe ndërkombëtare akademike: Summer University South East Europe-2007-Uni Vienna, Sommerakademie des GSI- Bonn 2014, 2015; Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës 2011, 2015; EU Law Winter School 2010-UP, Akademinë Evropiane për të Rinj 2016-2017, etj.
Ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare akademike në: Stamboll, Vjenë, Berlin, Hanover, Mynhen, York, etj. Ajo është autore e disa punimeve akademike të indeksuara ndërkombëtarisht (EBSCO) dhe i dy librave në gjuhë angleze: Lushaku Sadriu, Jehona. (2019) “Europeanization through Conditionality and Deliberation in the EU Enlargemant Process: An analysis of the case study of Kosovo” Berlin, Germany, si dhe “Bashkimi Evropian - Një përmbledhje e shkurtër” Konrad Adenauer Stiftung, Prishtinë, Kosovë (2017).
Përveç karrierës akademike, Lushaku Sadriu, angazhim të thellë shfaqi edhe në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Kosovë përmes projekteve evropiane. Duke qenë udhëheqëse në Zyrën Erasmus +, është angazhuar që Kosova të rrisë projektet ndërkombëtare për shkëmbim të studentëve, përfitim të projekteve në ndërtim të kapaciteteve, etj. Përgjatë viteve 2007-2010 ka qenë drejtoreshë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës, e më pas ka menaxhuar për dy vite projektin austriak KAIP për arsimin e lartë në Kosovë. Ajo për kohë të caktuar është angazhuar nga UNDP si këshilltare për integrime evropiane në zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe në Ministrinë e Drejtësisë, ndërkaq fushat e saj të ekspertizës janë: Integrimet evropiane dhe Arsimi i lartë.