
Driton Bardheci u lind më 29 qershor 1997. Ai është një profesionist i ri, me përgatitje të gjerë akademike dhe përvojë të konsoliduar në administratën publike dhe angazhimin politik në Kosovë.
Studimet universitare i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, ku kreu studimet bachelor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, në programin Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment.
Paralelisht ai përfundoi edhe studimet bachelor në fushën e Shkencave Politike.
Më tej vazhdoi studimet master në Mekatronikë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Gjatë rrugëtimit akademik është vlerësuar si student elitar, duke përfituar dy herë bursë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe nga Universiteti i Prishtinës.
Është autor i disa punimeve shkencore të indeksuara në revista ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor në fushat e inxhinierisë dhe menaxhimit. Gjithashtu, gjatë studimeve ka qenë përfaqësues i studentëve dhe pjesë aktive e Këshillit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
Në aspektin politik dhe organizativ, Bardheci ka qenë kryetar i Rinisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për periudhën 2018–2022, si dhe anëtar i Kryesisë Qendrore dhe i Këshillit Drejtues të kësaj partie.
Karrierën profesionale e ka ndërtuar edhe në sektorin publik, ku për mbi tri vjet ka punuar në Telekomin e Kosovës, në zyrën qendrore, duke mbajtur pozita të ndryshme. Më pas ka ushtruar funksionin e zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, si dhe atë të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Klinës, duke kontribuar në zhvillimin e politikave publike dhe aktiviteteve rinore e kulturore.
Nga një student i dalluar tek përvoja profesionale në institucione publike dhe deri te pozitat drejtuese në politikë dhe administratë, Driton Bardheci përfaqëson një kombinim të arsimit teknik, shkencor dhe politik, si dhe një angazhim të hershëm në jetën publike.
Aktualisht ai ushtron detyrën e drejtorit të Administratës në Komunën e Prishtinës, ku është i përkushtuar në avancimin e shërbimeve publike, rritjen e efikasitetit institucional dhe përmirësimin e qeverisjes në shërbim të qytetarëve.
Email: driton.bardheci@rks-gov.net
Asistente: gzime.pacolli@rks-gov.net
Tel:038/233-575
Drejtoria e administratës, në kuadër të fushë veprimtarisë së saj ushtron dhe është përgjegjëse për:
- Ushtrimin dhe zbatimin e shërbimeve të përgjithshme administrative për organet administrative dhe organet tjera Komunale dhe
- Ofrimin e shërbimeve administrative, për qytetarët e Komunës së Prishtinës, në kuadër të kompetencave vetanake apo të deleguara ligjore të saj.
Përgjegjësitë e administratës:
Shërbimet e përgjithshme administrative për organet administrative dhe organet tjera Komunale të Drejtorisë së Administratës përfshijnë:
- Ofrimin e shërbimeve dhe kryerjen e punëve administrative mbështetëse për punët e Kuvendit të Komunës të Bordit të Drejtorëve dhe të trupave punues ( komiteteve) të Kuvendit Komunal.
Përgatitjen dhe hartimin e akteve të Kryetarit të Komunës ( neni 13 lidhur me nenin 58 të LVQL ) si dhe punë të tjera teknike –administrative si:
- Përpilimin e ftesave dhe të vendimeve që dalin nga mbledhjet e caktuara ,përpilimin dhe lekturimin profesional i materialeve literare në gjuhët në përdorimin zyrtar në Komunën e Prishtinës;
- Pranimin dhe procedimin në organin kompetent të iniciativave qytetare peticioneve dhe kërkesave për referendum të qytetarëve të Komunës së Prishtinës, në përputhje me Ligjin dhe Statutin e Komunës.
Bënë propozimet ( hartimet ) e projekt rregulloreve dhe propozim vendimeve të përgjithshme administrative ,si dhe ushtron propozime për ndryshimin dhe plotësimin e akteve të përgjithshme nënligjore në fuqi ( në juridiksionin Komunal )
Zbaton dhe bënë regjistrimin dhe mbajtjen e evidencës së materialit zyrtar që pranohet dhe dorëzohet nga zyra e arkivit të administratës së Komunës, si dhe arkivimin e lëndës arkivore dhe kujdesi për ruajtjen e sajë, dhe kujdesi për ruajtjen e akteve materiale të administratës (librat amë, kartotekat, protokollet, regjistrat, etj )
Ofron të gjitha format e shërbimeve dhe të ndihmës juridike për qytetarët, përfshirë regjistrimin e të gjitha kërkesave dhe parashtresave të tyre dhe bënë raportimin për kryerjen e lëndëve administrative në përputhje me afatet ligjore.
Është përgjegjëse dhe kujdeset për ofrimin e shërbimeve postare për nevojat e organeve Komunale dhe organeve të administratës Komunale .
Ushtron dhe menaxhon me fushën e logjistikës, duke përfshirë menaxhimin dhe kujdesin për automjetet, titullar pronësor i të cilave është Komuna e Prishtinës.
Organizon dhe kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve të administratës Komunale, duke përfshirë organizimin e shërbimeve të sigurimit për këto objekte.
Ushtron të gjitha punët rreth përkujdesjes dhe mirëmbajtjes së teknologjisë informative dhe avancimit të saj për nevoja zyrtare.
Kryen edhe punë të tjera, në bazë të ligjeve të aplikueshme në kuadër të fushë veprimtarisë së Drejtorisë.
Me qëllim të ushtrimit të funksioneve të përcaktuara me dispozitat ligjore në fuqi, Drejtoria e Administratës është e organizuar në këta sektorë:
1. Sektori i Bashkësive Lokale;
2. Sektori për Punë të Kuvendit Komunal;
3. Sektori i Gjendjes civile;
4. Sektori i Teknologjisë Informative;
5. Sektori i Shërbimeve të Përgjithshme (Logjistikës);
6. Sektori për Shërbim me Qytetar.