Biblioteka e qytetit |
Misioni
Biblioteka e qytetit të Prishtinës është institucion kulturor, edukues e informues që grumbullon, pasuron, përpunon, mirëmban dhe ruan koleksionet e veta nga fushat e ndryshme të krijimtarisë dhe të veprimtarisë intelektuale me qëllim që t’ i bëjë të njohura dhe t’ ua vërë në dispozicion shfrytëzuesve për t’i lexuar, hulumtuar e studiuar dhe për t’ i lënë trashëgim gjeneratave të ardhshme;
- Ofron qasje në materialin bibliotekar për të gjithë përdoruesit e qytetit të Prishtinës me rrethinë, pavarësisht nga raca, kombësia, gjinia, mosha, besimi fetar, gjuha, paaftësitë fizike dhe informon e ndihmon ata në përdorimin e gjetjen e tyre;
- Organizon aktivitete kulturore dhe edukative në ambientet e saj siç janë : ekspozita të librit, promovime, botime, tribuna, takime me krijues, orë letrare dhe veprimtari tjera;
- Bashkëpunon me institucionet kulturore, shtëpitë botuese, shkollat dhe me komunitetin me qëllim të nxitjes së interesimit për librin dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës.
- Bashkëpunon me bibliotekat në vend dhe jashtë vendit;
Historiku
Nuk janë gjetur të dhëna të sakta për datën e formimit dhe hapjen e kësaj biblioteke, por të gjitha gjasat janë që ka filluar të punojë në shkurt të vitit 1945, me një fond prej 1300 librash në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe një fond fletushkash dhe broshurash të kohës së luftës.
Pas ndalimit të punës së Qendrës bibliotekare të KAKM, më 1953, fondi i koleksionit librar i është bashkëngjitur kësaj biblioteke dhe deri më 1956 ka luajtur rolin e Qendrës bibliotekare për gjithë territorin e Kosovës dhe brenda kësaj periudhe ka zgjeruar rrjetin e bibliotekave jashtë Prishtinës.
Mbështetur në dokumentacionin zyrtar, shihet se më 12.IV.1963 themelues i kësaj biblioteke është Kuvendi Komunal i Prishtinës me emërtim Biblioteka Publike “Milladin Popoviqi”. Gjatë viteve bibliotekës i ndryshohet emërtimin në: Biblioteka Popullore “Milladin Popoviqi”, Biblioteka e Qytetit (pa shtesën Milladin Popoviq), Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sulejmani”, Biblioteka Rajonale “Hivzi Sulejmani”, si dhe Biblioteka Nder komunale “Hivzi Sulejmani”.
Bibliotekat
Nga viti 1947 deri në gusht të vitit 2016 biblioteka ka qenë zhvilluar aktivitetin e saj në objektin nën mbrojtje të ligjit për trashëgimi kulturore, i gjendur në rrugën UÇK, ku edhe kanë qenë zyrat kryesore.
Sot, Biblioteka e qytetit të Prishtinës “Hivzi Sulejmani” është e vendosur në lagjen Dardania në objekt prej 5800 m2. Objekti është i pajisur me pajisje teknike dhe teknologjike të trendëve bashkëkohore për bibliotekari dhe mirëpret vizitorë të shumtë.
Ky institucion ka edhe degët tjera në Prishtinë dhe rreth Prishtinës e këto janë:
- Dega “Përkujtimore” në Taukbahçe;
- Dega “Lektura” në Ulpianë;
- Dega “Përrallat” në Ulpianë;
- Dega “Pallati i Rinisë” në qendër të Prishtinës.
- Dega në Bardhosh;
- Dega në Llukar;
- Dega në Koliq;
- Dega në Keqekollë;
- Dega në Slivovë;
- Dega në Hajvali
Për më shumë informata ju lutem vizitoni ueb faqen www.biblioteka-pr.org