Analizë e performancës së procesit mësimor në Komunën e Prishtinës

- 03 Feb 2015

Sot u mbajt Këshilli i drejtorëve i të gjitha institucioneve parafillore, fillore,të mesme të ulëta dhe të mesme të larta të Komunës së Prishtinës.

Si pika të rendit të ditës ishin shqyrtimi i suksesit dhe vijueshmërisë së nxënësve në gjysmëvjetorin e parë dhe të ndryshme.
Në të tri nivelet e arsimit parauniversitar të Komunës së Prishtinës, në fund të çdo gjysmëvjetori mësimor bëhet një vlerësim i përgjithshëm për ecurinë dhe përformancën në procesin mësimor dhe analizohet suksesi i nxënësve për rezultatet e arritura, duke krahasuar rezultatet e suksesit me rezultatet e periudhës së njëjtë të vitit paraprak.
Në këtë drejtim Drejtoria Komunale e Arsimit po punon në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim që cilësia e arsimit në shkollat tona të shënojë progres dhe të arrijë në nivelin e shkollave të përparuara, si: në mësimdhënie, në nxënie dhe të një vlerësim sa më objektiv i arritshmërisë së nxënësve.

  • Në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, gjithsej 43 shkolla amë mësimin në vitin shkollor 2014/15, e kanë vijuar 31.932 nxënës. Kalueshmëria e nxënësve në nivelin fillor të arsimit, është: 17002 nxënës me sukses pozitiv, 98.8-për qind, 183 me sukses të pamjaftueshëm, 1.06-për qind dhe 24 nxënës të pa notuar, 0.14-për qind. Në bazë të statistikave të dhëna konsiderojmë, se në këtë nivel të arsimit fillor është përdorur një kriter më i butë i vlerësimit, e për këtë dëshmon edhe nota mesatare 4.4.
  • Numri i përgjithshëm i nxënësve në nivelin e mesëm të ulët, VI – IX, është 14.727 nxënës. Prej tyre 10932 nxënës janë me sukses pozitiv, 74.23-për qind, ndërsa 3768 nxënës me sukses të pamjaftueshëm, 25,6-për qind, dhe 27 nxënës të pa notuar, 0.18-për qind. Shihet se në këtë nivel të arsimit është një shpërndarje më normale e nxënësve, sipas suksesit të arritur dhe arsimtarët me rastin e vlerësimit kanë pasur kriter më real dhe më objektiv, për çka dëshmon edhe nota mesatare: 3.58.
  • Në nivelin e arsimit të mesëm të lartë, gjithsej 14 shkolla, mësimin e kanë vijuar 11.184 nxënës. Kalueshmëria e nxënësve, në këtë nivel të arsimit është: 4033 nxënës me sukses pozitiv apo 36.01-për qind, ndërsa 6959 nxënës me sukses të pamjaftueshëm apo 62.2-për qind, dhe 191 të pa notuar, apo 1.70-për qind. Nota mesatare e nxënësve të këtij niveli të arsimit është 2.93. Në këtë nivel të arsimit kërkohet nga drejtuesit dhe mësimdhënësit e shkollës një angazhim më i madh, që cilësia e arsimit në këtë nivel të përmirësohet.

Kjo analizë bëhet jo vetëm për të konstatuar gjendjen por, edhe për të përcaktuar objektivat për të ardhmen që do të reflektojnë pozitivisht në përmirësimin e shkallës së arritshmërisë së nxënësve dhe ngritjen e cilësisë së mësimdhënësve në procesin edukativo-arsimor.
Pa prezantimit të raportit nga drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci tha se duhet të punohet më shumë që të mbështetën mësimdhënësit në mënyrë që mësimi të jetë real.
“Tash së fundi do të kemi edhe sfidën kur nxënësit tanë do të jenë pjesëmarrës në testin e PISA-s që reflekton po ashtu me rezultate të larta dhe si drejtori komunale e arsimit jemi duke punuar në krijimin e një grupi në nivel komunal që do të jetë mbështetës dhe monitorues i shkollave dhe i mësimdhënësve. Vlerësimi i nxënësve është një prej sfidave me të cilat po ballafaqohemi në mënyrë që rezultatet të jenë reale. Testi i PISA-s është test ndërkombëtar në të cilin marrin pjesë një numër i madh i vendeve të botës, janë teste të standardizuara, dhe është viti i parë që Kosova do t’i nënshtrohet këtij teksti, pjesë e të cilit do të jenë edhe 27 shkolla të Komunës së Prishtinës, andaj urojë që vërtetë rezultatet të jenë meritore kur të krahasohemi edhe më të tjerët”, tha Nagavci.
Në këtë takim, në pikën “të ndryshme” u diskutua edhe për vizitat speciale që janë bërë në institucionet parafillore, fillore dhe të mesme të larta prej zyrtarëve të arsimit, për orarin e edukatoreve për të cilat u tha se duhet të punojnë nga tetë orë në ditë, e jo gjashtë siç është vepruar deri më tani. Temë e diskutimeve ishte edhe niveli i ndryshëm i pagesave, gradimi, pasi që jo të gjithë paguhen njëjtë. Një tjetër fakt shqetësues është braktisja e mësimit nga nxënësit, pasi që vetëm gjatë muajve të fundit,810 nxënës e kanë braktis shkollimin, gjë që shtron kërkesën e planifikimin lidhur me numrin e mësimdhënësve, pasi që kjo do të mund të reflektojë edhe me zvogëlim e numrit të tyre, etj.
Në këtë takim, po ashtu, nga drejtorët e shkollave u kërkua që sallat e edukatës fizike të shfrytëzohen edhe nga nxënësit e shkollës fillore I – V, respektivisht të bëhet një planifikim në nivel të shkollës në mënyrë që edhe nxënësve të cikleve të ulta t’ju mësohet lënda e edukatës fizike.

***
PISA (The Programme for International Student Assessment) është një vlerësim ndërkombëtar i standardizuar i zhvilluar në disa vende të botës për nxënësit 15-vjeçarë. PISA mat nivelin e njohurive që një nxënës ka arritur në fund të stadit të përmbylljes së arsimit të detyruar (9-vjeçar) si dhe aftësitë që janë thelbësore për të qenë pjesëmarrës aktiv në shoqëri.