Për Prishtinën
Nga viti 1981, nuk ka pasur regjistrim të popullsisë në Kosovë. Pas luftës së fundit, Prishtina është stërngarkuar me popullatë. Manipulohet me shifra , por duke u mbështetur në analiza dhe numrin e votuesve, numri rezident i qytetarëve në qytetin e Prishtinës, mund të jetë përafërsisht 400 mijë, ndërsa me fshatrat deri 470 mijë.Gjatë ditës në kryeqytet mendohet se lëvizin deri në 500 mijë qytetarë.Gjatë të gjitha periudhave historike, Ballkani Qendror dhe ai Lindor ishte dhe vazhdoi të mbetet hapësira më dinamike e lëvizjeve etnike dhe shoqërore e ngjarjeve historike e politike. Për këtë arsye, ndodhi edhe ndryshimi në strukturën etnike e fetare.
Pikërisht për këtë, më së tepërmi pësoi popullata autoktone etnike ilire, por edhe thrakase e maqedonase. Në vorbullën e këtyre ngjarjeve, bën pjesë edhe hapësira ku shtrihet sot Prishtina. Gjurmët e banimit në kryeqytetin e Kosovës i gjejmë që në parahistori, gjithnjë në mbështetje të zbulimeve të deritashme arkeologjike të gjetura në lokalitetet e Neolitit të hershëm, si në Matiçan, Graçanicë, Ulpianë etj., pastaj në epokën e bronzit, deri te etnokultura dardane që nga shek. VIII e VI para Lindjes së Krishtit.Në të dhënat historike të shkruara deri në shek. XIV, për Prishtinën kemi të dhëna të pakta e fragmentare. Kështu, për strukturën e Prishtinës nuk mund të mbështetemi vetëm në të dhënat e shkurtëra e narrative nga Arkivi i Raguzës (Dubrovnikut të sotëm), për periudhën paraosmane pa u shfrytëzuar dhe konsultuar me dokumentet turke.
Të përkujtojmë se gjatë periudhës së sundimit romak, popullatën e vendëse e përbënin dardanët, pastaj vijnë dubrovnikasit, sasët, sllavët e deri në Mesjetë. Me pushtimin e Artanës (ish-Novobërdës) më 1455, pra edhe të Prishtinës nga Perandoria Osmane, në Prishtinë filluan të vijnë edhe turqit, çerkezët, romët etj.Etimologjia e emrit Prishtinë, duket se vjen nga një gjuhë e lashtë indoevropiane, ndërsa kuptimi i saj është; i lashtë, i fazës fillestare, diçka që i përket të kaluarës. Duke u mbështetur në këto të dhëna, hetohet se Prishtina është një lokalitet i lashtë antik, por që është përtërirë gjatë periudhës së Mesjetës.
Shkrimi i parë për Prishtinën është ai i vitit 1342 nga Perandori i Bizantit, Johan Kantakuzen, i cili Prishtinën e përshkruan si një fshat. Pas këtij viti, ka të ngjarë se ekzistonte kisha katolike e Shën Mërisë dhe si priftërinj përmenden edhe emra, si ai i shqiptarit Don Lasio.Meqë gjatë periudhës së vjetër ekzistonte qyteti i vjetër Ulpiana (Ulkiana), ndërsa gjatë mesjetës së hershme Artana si qytet xehetarësh, atëherë hetohet se Prishtina deri në kohën e sundimit osman, nuk dëshmon ndonjë rol të rëndësishëm gjatë shek. XIV e XV kur Prishtina, kryeqyteti i sotëm i Kosovës fillon të zhvillohet edhe si qendër e rëndësishme tregtare.