- 17 Dec 2014
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe Drejtorin e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, Genc Bashota bashkëbiseduan me banorët e fshatit Bardhosh.
Problemet e panumërta infrastrukturore, kryesisht me rrugë dhe kanalizime, mungesa e ndriçimit publik, problemet me mbeturinat ishin preokupimet kryesore të banorëve të shumtë të fshatit Bardhosh dhe disa fshatrave të tjerë që bëjnë pjesë në këtë bashkësi lokale. Njëkohësisht, ata u ankuan edhe për linjat jo të rregullta të transportit publik, mirëmbajtjen e varrezave të fshatit dhe mungesën e sallës së sportit për nxënësit dhe të rinjtë në përgjithësi.
“Në këtë bashkëbisedim ne do të përcaktohemi për ato probleme që janë më me urgjencë. Ne i kemi bërë disa zgjidhje. Jeni të njoftuar se tashmë gati është lëshuar në qarkullim pjesa e rrugës prej Siqevës për shkak se tentohet të lidhen fshatrat e Gollakut me fshatrat e Llapit. Tash e kam nënshkruar edhe pjesën tjetër të kontratës që e lidh atë pjesë të rrugës deri tek rruga kryesore për Prishtinë. Edhe ajo do të përfundohet në momentin që kemi mundësi të punojmë. Sivjet i kemi bërë diku rreth 240 km ndriçim, por do t’i shënojmë edhe për vitin tjetër. Nëse në të kaluarën janë anashkaluar probleme të fshatit ose të lagjeve, ato do të jenë në listën e prioriteteve të projekteve që do t’i realizojmë në të ardhmen”, tha kryetari Shpend Ahmeti.
Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi i njoftoi se tashmë është filluar me investime në infrastrukturë, duke i renditur projektet sipas prioriteteve. Ai i njoftoi se tashmë janë projektuar një numër i madh i projekteve për vitin 2015 dhe se për rrugë që janë arterie të rëndësishme për këtë fshat tashmë janë përmbyllur procedurat tenderuese dhe është shpallur kompania fituese.
“Njëkohësisht, është shpallur tenderi dhe është përcaktuar kompania fituese për projektin e kanalizimit prej shkollës e deri në Sinidoll dhe në momentin që do të përfundojë kanalizimi, ne do ta tenderojmë edhe rrugën. Pra, vitin e ardhshëm edhe rrugën dhe kanalizimin e Sinidollit. Problemet më të mëdha kanë qenë me trajtimin e ujërave atmosferik dhe fekale dhe tash ne e kemi projektuar kolektorin që do t’i trajtojë këto probleme deri në lumin Llap. Edhe pse një pjesë e territorit i përket komunës së Obiliqit, në marrëveshje me ta do ta përfundojmë komplet projektin. Jemi duke e trajtuar edhe lumin që kalon në këtë pjesë, i cili sa herë që bie shi, shkakton vërshime, andaj përmes këtij projekti jemi duke e trajtuar edhe këtë gjë që në të ardhmen mos të keni probleme të tilla”, tha Durmishi, i cili iu premtoi të pranishmëve se në vitin 2015 do të zgjidhet të gjitha problemet e kanalizimeve të komplet këtë pjesë.
Banorët u shprehën të pakënaqur me cilësinë e investimeve infrastrukturore që janë realizuar në të kaluarën, pasi që sipas tyre, kanë qenë shumë të mangëta dhe në disa raste nuk janë realizuar në tërësi. Ata u ankuan edhe me vendosjen e orëve të rrymës nëpër shtylla dhe thanë se një vendim i tillë i njëanshëm nga KEDS, është i padrejtë. Në këtë ankesë, kryetari Ahmeti u shpreh se KEDS – it tashmë i është ndërprerë vendosja e orëve në shtylla dhe i njoftoi se jo vetëm ndaj tyre, por ndaj të gjitha kompanive është marrë vendim që patjetër paraprakisht duhet të diskutohet me Komunën se cili është opsioni më i mirë dhe se tash e tutje asnjë kompani, pa marrë parasysh a është private apo publike dhe se prej nga është, nuk do të ketë të drejtë të bëjë çfarë të dojë në Komunë.
Kryetari Ahmeti i informoi të pranishmit edhe lidhur me projektin më të madh në fushën e bujqësisë që është duke tentuar ta realizojë deri më tani Komuna e Prishtinës.
“Para dy ditësh kam nënshkruar kontratën me Komisionin Evropian, të cilët na kanë dhënë 400 mijë euro. Prej vitit tjetër, do ta kemi tregun e prodhimeve vendore. Të gjithë bujqit që prodhojnë këtu, do t’i kenë tri tregje mobile që lëvizin nëpër pjesë të ndryshme të qytetit në të cilat bujqit tanë mund t’i shesin produktet e tyre në Prishtinë ku konsumi është i madh. Ne nuk po mundemi ta mbulojmë Prishtinën me produktet tona, andaj mendojë se tregu do të jetë stimulim shumë i madh për bujqit që ta punojnë tokën. Projekti i dytë është ai i granteve që po synojmë ta realizojmë me Qeverinë austriake dhe norvegjeze. Bëhet fjalë për një projekt shumë të madh përmes të cilit do t’i stimulojmë me grante ata të cilët duan të investojnë në ferma, në serra, në prodhime bujqësore nëpër fshatra ngaqë kemi tokë të kategorisë së parë”, tha Ahmeti.