- 15 Sep 2016
Në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, patën një varg aktivitetesh të përbashkëta. Ata vizituan shkollën “Model”, e cila funksionon me konceptin e mësimit gjithë-ditor, kopshtin e fëmijëve “Shkronjat”, si dhe e bënë hapjen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Tophane e cila tani i ka ambientet dhe mjetet e punës sipas standardeve më bashkëkohore.
Gjatë ditës u zhvilluan edhe disa takime të ndara në mes të drejtorëve të drejtorive nga Tirana dhe Prishtina, si dhe në mes të përfaqësuesve të Kuvendit Komunal dhe Këshillit Bashkiak. Këto takime shërbyen për shkëmbimin e përvojave për zgjidhjen e problemeve konkrete me të cilat ballafaqohen qytetarët në të dy komunat.
Një nga diskutimet më të rëndësishme gjatë kësaj vizite ishte takimi i në mes komunave kryesore shqiptare të rajonit, siç janë Tirana, Prishtina, Tetova, Presheva dhe Ulqini, që do të mbahet më 26 dhe 27 nëntor në Tiranë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se në këto takime do të diskutohet për pesë fusha kryesore, siç është urbanizmi, inovacionet/digjitalizimi, mjedisi, transporti dhe investimet. Takimet do të jenë në nivel të kryetarëve, kuvendeve komunale, si dhe në nivel të ekspertëve për fusha specifike.
Në konferencën përmbyllëse për media, Veliaj tha se është i impresionuar me frymën e punës që është futur në Komunën e Prishtinës, prej se VETËVENDOSJE! udhëheqë me të. “Këtë e kam vënë re tek të gjithë kolegët, nga pastruesit në shkollë, deri tek kryemjeku në qendrën shëndetësore, tek ata që punojnë për rigjenerim urban e tek ata që punojnë në terren. Besoj se kjo frymë e pasionit vlen shumë më shumë sesa të ardhurat, financat, apo gjithë infrastruktura që dikush mund të vendosë në një punë të tillë, siç është Kryetari i Komunës”.