- 08 Oct 2016
Pas vizitës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Velijaj në Prishtinë dhe zotimeve të të dy kryetarëve për bashkëpunim sa më të ngushtë të të dy qyteteve, gjatë javës Komunën e Prishtinës e vizitoi një delegacion nga Qendra për Zhvillim dhe Edukim të Fëmijëve nga Tirana.
Në vizitën dy ditore, delegacioni i përbërë nga Zhaneta Beqiri, drejtoreshë e përgjithshme e Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, Enkeleda Isaku, drejtoreshë e Drejtorisë së edukimit dhe zhvillimit, Elona Hasko, përgjegjëse e sektorit të edukimit dhe kujdesit psiko-social, si dhe Dorian Xhaja, specialist i zyres për burime njerëzore, u takuan me Drejtoreshën e Arsimt në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavcin, Shefen e Kabinetit të Kryetarit Ahmeti, Fitore Pacollin dhe zyrtarë të tjerë.
Interesimi kryesor i mysafirëve ishte arsimi parafillor në Prishtinë, kopshtet dhe çerdhet, me theks të veçantë tek çerdhet me bazë në komunitet, si ide që mund të implementohet edhe në Tiranë.
Drejtoresha Nagavci i njoftoi ata me organizimin e përgjithshëm të edukimit parafillor në Prishtinë, derisa Fitore Pacolli ua shpjegoi bazën ligjore mbi të cilën funksionojnë çerdhet me bazë në komunitet.
Mysafirët nga Tirana vizituan edhe çerdhet "Botanika", "Ardhmëria" e "Shkronjat", ku u njoftuan për së afërmi me punën e tyre, si dhe Kuzhinën Qendrore ku përgatitet ushqimi për fëmijët nëpër çerdhe.