- 15 Oct 2016
Komuna e Prishtinës, e përfaqësuar nga Drejtori i Administratës, Muhedin Nushi, me datën 6 dhe 7 Tetor 2016 ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “LJUBLJANA FORUM – SUSTAINABLE – SMART – INCLUSIVE – GREEN CITIES & SMART INFRASTRUCTURE”.
Në Ljubljana Forum 2016 ishin prezent rreth 150 pjesëmarrës, të cilët shkëmbyen njohuri dhe diskutuan mundësitë dhe idetë për fuqizimin e qyteteve dhe të komuniteteve.
Pjesëmarrës ishin edhe Zoran Jankoviq (Kryetar i Lubjanës), Erion Veliaj (Kryetar i Tiranës), Ivo Komsic (Kryetar i Sarajevës) si dhe shumë përfaqësues tjerë.
Njohuritë dhe përvojat e qeverisjeve të mira, të kombinuara me vizionet e të rinjve janë kruciale për zhvillimin e ardhshëm të strategjive për qytetet e zgjuara (Smart Cities).
Një nga futuristët më të rëndësishëm të kohës sonë, z Jerome C. Glenn, ka paraqitur një pasqyrë shumë konçize të përdorimit të teknologjisë, të qyteteve së të ardhmes dhe të teknologjisë së zgjuar.
Në tryezën me Kryetarët e Qyteteve, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi e shpalosi infrastrukturën e zgjuar të implementuar në Drejtorinë e Administratës si dhe në drejtoritë tjera, me vështrim të posaçëm në projekte të caktuara të zgjuara si Projekti i E-Kioskut, i cili ka zgjuar interesim mjaft të madh tek të pranishmit në këtë konferencë.
Një nga konkluzat e përbashkëta të pjesëmarrësve në tryezën e rrumbullakët, ishte se duhet më shumë të dëgjohet zëri i komunitetit si dhe të ngritet roli më aktiv i tyre. Poashtu është folur edhe për idetë e të rinjve, mënyrën e shprehjeve të ideve të tyre dhe përkrahjen e vazhdueshme të qyteteve në projekte të zgjuara të cilat e përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.