- 01 Feb 2017
Në kuadër të zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, për ta pasur sistem sa më të mirë të shëndetësisë primare në Prishtinë, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në vazhdimësi ka ndërmarrë masa ndaj atyre që kanë penguar një gjë të tillë. Dr. Arsim Gashi, gjinekolog në QMF nr.5 në lagjen Dardania, është larguar përkohësisht nga puna për shkak të papërgjegjësisë së vazhdueshme në ushtrimin e detyrës, shkeljes së normave të punës, si dhe kërcënimit direkt serioz që ia ka bërë drejtorit të QKMF-së në Prishtinë z. Rrezart Halili. Drejtori i QKMF-së, këtë kërcënim e ka denoncuar në Polici.
Pas vendimit, Gashi ka filluar kërcënimet edhe ndaj Drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, z. Arben Vitia, dhe ky i fundit dy herë i ka denoncuar këto kërcënime në stacionin nr. IV të Policisë. Policët e këtij stacioni e kanë marrë me shumë seriozitet rastin. Por, prokurorët në të dy rastet e kanë liruar me procedurë të rregullt kërcënuesin Arsim Gashi, pavarësisht faktit se kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme karshi z. Vitia. Duhet theksuar se rasti i dytë i denoncimit ishte kur Gashi ai ka shkuar në zyrën e drejtorit Vitia dhe ka kërcënuar përsëri duke lënë “porosi” tek asistentja e zyrës.
Së fundmi, më 31 janar, kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur z. Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla. Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimit “ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për ‘dërzhavën’ do me hy në gjak me mu, vazhdo”. Edhe pas këtij rasti, z. Arben Vitia ka njoftuar Policinë, dhe përsëri prokurori i rastit, Musa Mehaj e ka liruar kërcënuesin Arsim Gashi.
Me tri denoncime për kërcënim brenda një jave, edhe për sulm fizik, prokurori i rastit, Musa Mehaj ka vendosur që ta lë të lirë kërcënuesin dhe sulmuesin. Prej rastit në rast, kërcënuesi Arsim Gashi veç e ka rritur dozën e kërcënimit, duke bërë edhe sulm fizik, e duke paralajmëruar edhe gjakderdhje. Një prokuror i tillë si Musa Mehaj, që nuk ndërmerr masat e duhura në kohë, është përgjegjës për çfarëdo pasoje të radhës në këtë çështje. Në një shtet të mirëfilltë e ligjor, ai prokuror qysh sot do të ishte duke u ndjekur penalisht.
Komuna e Prishtinës nuk do të ndalet, do të vazhdojë qeverisjen e mirë e të drejtë dhe nuk do të zmbrapset, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve që vijnë drejt nesh.