- 01 Dec 2014
Sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhjen e nëntë. Fillimisht, kryetari Shpend Ahmeti kërkoi nga të pranishmit që të votohet për rregullimin e mjeteve që u votua në mbledhjen e kaluar për mbështetjen e ndërmarrjes komunale “Termokos” si dhe mjetet që do të ndahen për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.
“Në mbledhjen e kaluar e kemi bërë lejimin e mjeteve, mirëpo në dokument nuk e kemi bërë edhe rregullimin. Ministria e Financave ka kërkuar vendim formal nga Kuvendi, në mënyrë që të na lejohet nga ministria, meqenëse kërkohet edhe fjala “rregullim”, - tha Kryetari Ahmeti, vendim ky që u votua unanimisht nga Kuvendi Komunal.
Asambleistët e pranishëm patën rastin të informohen nga drejtori i ndërmarrjes komunale “Termokos”, Arsim Janova, lidhur me fillimin e ngrohjes me koogjenerim. Ai u shpreh se ky projekt tashmë ka startuar suksesshëm, ndërsa janë duke u bërë testimet për shtimin e kapaciteteve të ngrohjes me energji termike. Janova tha se gjatë kësaj periudhe janë rritur kërkesat e konsumatorëve për t’u kyçur në sistemin e ngrohjes, derisa në të kaluarën ndodhte e kundërta.
Pas miratimit të ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së tetë të Kuvendit Komunal, në këtë mbledhje u miratua edhe propozimvendimi për formimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës së Kuvendit për vitin 2015. Detyrë e grupit punues është që në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë që ka Kuvendi i Komunës, të hartojë planin vjetor të punës së Kuvendit të Komunës për vitin 2015. Pas hartimit të planit final, grupi punues do ta prezantojë para Kuvendit të Komunës për miratim, ndërsa afati për dorëzim të planit vjetor final është dt. 15.12.2014.
Njëkohësisht, në këtë mbledhje u shqyrtua edhe propozimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronave të paluajtshme të Komunës me pronat në pronësi të personave fizik. Ky këmbim i pronës, siç tha drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu, bëhet për çështje të interesit publik në mënyrë që të lehtësohet jeta e qytetarëve, konform planeve ekzistuese rregullative.
Në mbledhjen e nëntë të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, u diskutua dhe u miratua edhe propozimrregullorja për themelimin, përbërjen dhe kompetencat e komiteteve të përhershme në Komunën e Prishtinës. Qëllimi i hartimit të kësaj rregulloreje u tha se është përcaktimi i procedurës së themelimit, përbërjes - numrit të anëtarëve, kompetencave dhe përgjegjësive të komiteteve të përhershme të Komunës së Prishtinës.
Njëkohësisht, pjesë e rendit të ditës ishin edhe propozimvendimi për ndryshimin e vendimit për themelimin e Këshillit për Siguri në Bashkësi, si dhe propozimvendimi për caktimin e anëtarëve të Komisionit për hapjen e kutive të ankesave, pika këto që u shtyn për mbledhjen e radhës për shkak se nuk pati pajtueshmëri për pjesëtarët e shoqërisë civile që do të jenë pjese e Këshillit, respektivisht, Komisionit. Me këtë rast u propozua që vetë Shoqëria Civile të të sjellë emrat e pjesëtarëve të tyre, me ç’rast do të votoheshin unanimisht nga Kuvendi Komunal.