- 29 Apr 2017
Në kategorinë Shërbimi Publik më i mirë, Komuna e Prishtinës mori çmim për herë të dytë radhazi në Albanian ICT Awards. Vitin e kaluar, Komuna u shpërblye me çmimin e parë për projektin “E-Kiosku”, kurse kësaj here shkoi në finale me projektin “Platforma Digjitale për Particim Publik”.
Ky projekt shërben për komunikim interaktiv dhe transparent në mes qytetarëve dhe zyrtarëve komunalë. Qytetarët bëjnë propozime, paraqesin ide të ndryshme për lagjet ku jetojnë, kurse zyrtarët komunal i shqyrtojnë ato kërkesa dhe veprojnë më tutje.
Komuna e Prishtinës është kyçur trendin e ri digjital në botë, me synim fuqizimin e rolit të qytetarëve në vendimmarrje, pjesëmarrje sa më masovike në planifikime buxhetore, si dhe transparencë radikale në qeverisje.
Zbatimi i këtij projekti është mundësuar me ndihmën e departamentit të demokratizimit të misionit të OSBE-së në Kosove dhe është realizuar teknikisht nga kompania vendore APPDEC.
Deri më tani janë pranuar 99 kërkesa nga qytetarët, ndërsa 70% e kërkesave kanë marrë përgjigjje nga zyrtarët komunalë.
Duke qenë institucioni i parë që dy vite radhazi shkon në finale për Shërbimin Publik më të mirë, Komuna e Prishtinës falënderon qytetarët për bashkëpunimin e treguar në projektet që po realizojmë, duke ndikuar kështu në lehtësimin e punës së zyrtarëve komunalë.