Diskutim publik me qytetarët lidhur me parcelizimin e pronave

- 11 Dec 2014

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Kadastrit, Nora Kelmendi dhe Albina Blakajn që e ushtron detyrën e udhëheqëses së Sektorit të Gjeodezisë, mbajtën diskutim publik me qytetarë lidhur me parcelizimin e pronave të tyre.

Drejtori Liburn Aliu me këtë rast tha se mënyra se si është bërë parcelizimi në të kaluarën ka qenë një praktikë të cilën është dashur të ndalet për shkak se nga takimet e vazhdueshme me qytetarë dhe problemet që ata i kanë prezantuar, është konstatuar se parecelizimi që ka ndodhur para se të hyjë në fuqi Plani Rregullativ, i ka shkaktuar dëme të mëdha urbanizmit në Prishtinë. Si shembull ilustrues Aliu foli për pjesën e kryeqytetit, “Prishtina e re”.

“Nëse e marrim si shembull “Prishtinën e re”, sot pothuajse është e pamundur që ne t’ju japim leje disa parcelave, edhe pse atje ka plan rregullues. Kjo ndodh për shkak se parecelizimi është bërë para se të bëhet plani. Në këto rrethana, planin në “Prishtinën e re” i bie që nuk e ka bërë urbanizmi ose urbanistat, por i bie që planifikimin në këtë zonë të kryeqytetit e kanë bërë gjeodetët me kërkesat për ndarje. Tokat të cilat kanë qenë në “Prishtinën e re”, para se të bëhen tokë ndërtimore, kanë qenë toka bujqësore. Dhe format e parcelave të tokës bujqësore kanë qenë të çrregullta.... dhe banorët kur kanë kuptuar se në ato zona mund të shtrihet banimi individual dhe mund të urbanizohen, atëherë janë ngutur dhe i kanë ndarë – janë lejuar t’i ndajnë dhe t’i parcelizojnë ato prona, sipas planit që kanë dashur vetë t’i bëjnë. Ndërsa, tani kemi aq shumë parcela të ndara në “Prishtinën e re” dhe në zonën e Çagllavicës, sa tashmë e kemi një gjendje të shumëfishuar të parcelave”, tha Aliu, i cili tha se në fund, sipas Planit Zhvillimor Urban (PZHU), është dashur të hapen rrugë dhe të krijohen hapësira për ato parcela që janë prekur drejtpërdrejtë.

Me qëllim të urbanizimit të mirëfilltë të qytetit, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejtë në një jetë të dinjitetshme të njerëzve që jetojnë në Prishtinë, drejtori Aliu i njoftoi të pranishmit se nga muaji mars parcelizimit lejohen vetëm në zonat që ndodhen jashtë PZHU – së, ndërsa në përgatitje e sipër është edhe rregullorja lidhur me parcelizimin përmes së cilës do të definohen çështjet e ndërtimit.

“Kriteret bazë të planifikimit i kanë munguar Drejtorisë së Urbanizmit. Jemi duke e përgatitur një rregullore në të cilën jemi duke punuar tash e disa muaj në mënyrë që derisa mos t’i nxjerrë Ministria kriteret bazë të planifikimit, Komuna t’i ketë kriteret e veta në mënyrë që të ekzistojë mundësia të bëhet parcelizimi”, tha Aliu.

Qytetarët e pranishëm kërkuan që të merret parasysh që ligjet dhe aktet nënligjore të jenë në përputhje dhe harmonizim midis pushtetit lokal dhe qendror, në mënyrë që të evitohet mundësia që në të ardhmen të bien ndesh me njëra – tjetrën. Po ashtu, ata kërkuan që të definohen qartë rregullat dhe të drejtat për bashkëpronarët e një ngastre, të cilat sipas tyre janë problemet më të shpeshta të qytetarëve në fushën e urbanizmit. Ata shfaqën, njëkohësisht, edhe brengën se PZHU në të kaluarën është hartuar pa e marrë parasysh gjendjen në terren, ndërsa u shprehën të gatshëm që të bashkëpunojnë me autoritetet komunale për zgjidhjet urbanistike që do t’ua mundësonin atyre një jetë më të mirë dhe më të planifikuar në aspektin urbanistik.

Në fund të këtij diskutimi publik, të pranishmëve iu shpërndanë edhe udhëzues që përmbanin informata lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Kadastrit, e ku përfshiheshin edhe të dhënat ligjet aktuale në fuqi.