- 26 Jan 2018
Sot në Komunën e Prishtinës u mbajt diskutimi publik lidhur me organizmin e jetës në ndërtesat në bashkëpronësi. “Krijimi i Shoqatave të Pronarëve të Ndërtesave të banimit në bashkëpronësi” është projekt i financuar nga Banka Botërore që mbështet Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të hartuar një plan zbatimi për kërkesën e Ligjit N.04/L-134 për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi (NBB); krijimin e Shoqatave të Pronarëve (SHP-ve); dhe për të promovuar formimin e tyre nëpërmjet një pilot-programi. Komuna e Prishtinës, është një nga komunat e përzgjedhura. Në diskutimin publik të mbajtur sot për këtë çështje, qytetarët u njoftuan me detajet e këtij projekti.
Bashkëpronësia është pjesë e pronës e cila nuk është në pronësi individuale dhe as pronë publike, por aty mbahet një interes i pandashëm nga pronarët e njësive individuale. Qëllimi është që të ketë organizim të banorëve për mirëmbajtjen e pjesës për të cilën janë bashkëpronarë.
Elementet e bashkëpronësisë janë: Hapësirat e përbashkëta (kafazi i shkallëve dhe korridoret e përbashkëta, kafazi i ashensorëve, kulmi dhe terasat/pllatotë e ndryshme, si dhe hapësirat tjera për shfrytëzim të përbashkët); Konstruksioni dhe instalimet (shtyllat dhe trajet, pllakat meskatëshe, muret e jashtme – fasadat, themelet dhe elementet e instalimeve për përdorim të përbashkët); Toka nën objekt; si dhe Sipërfaqet e jashtme (oborri, parkingjet, fushat e lojërave për fëmijë e të ngjashme – nëse me planet rregulluese të hollësishme janë të përcaktuara si bashkëpronësi).
Në ndërtesat shumëbanesore të vjetra nevojitet një grup fillestar i pronarëve për të filluar hartimin dhe miratimin e Marrëveshjes së bashkëpronësisë nënshkruar nga pronarët. Marrëveshja e bashkëpronësisë është një dokument kyç për regjistrimin e ndërtesës në bashkëpronësi në Kadastër.
Në ndërtesat shumëbanesore të reja, zhvilluesi regjistron marrëveshjen e bashkëpronësisë në emër të tij dhe transferon të drejtën në njësitë individuale tek pronarët e rinj pas blerjes së tyre.
Ky projekt do të pilotohet në 3 ndërtesa shumëbanesore fillimisht. Afati i fundit për t'iu përgjigjur ftesës për propozime është deri më 9 shkurt deri në orën 16:00. Dokumentacioni dorëzohet në një kopje të shtypur, në sportelin nr. 6, në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.