- 06 Feb 2018
Një delegacion i Komunës së Prishtinës i përbërë nga nënkryetari z. Selim Pacolli, Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale z. Arben Vitia, si dhe znj. Linda Spahiun dhe znj. Mimoza Sylejmanin nga zyra e regjenerimit urban, bashkë me përfaqësuesen e shoqatës të Down Syndrom Kosova, znj. Sebahate Hajdini-Beqiri, dhe përfaqësuesin e shoqatës Autizmi, z. Arif Daka, u pritën nga kryetari i Serçuklu-Konya në Turqi, z. Uğur İbrahim Altay.
Gjatë këtij takimi z. Pacolli shprehu falënderimin për ndihmën e ofruar nga Krahina e Konyas për mbështetjen në ndërtimin e qendrës për autizëm dhe sindromë Down në Prishtinë.
Krahina e Konyas ka një nga qendrat më moderne të autizmit në Evropë dhe z. Altay u zotua se do të ndihmojë edhe Komunën e Prishtinës që përmes TIKA-s, të ndërtohet edhe në Prishtinë një qendër e ngjashme, që do t’iu ofrojë shërbime cilësore këtyre grupeve.