- 11 Jun 2018
Sot, Kuvendi Komunal mbajti Seancë Solemne, për të shënuar kështu 19 vjetorin e çlirimit të Prishtinës. Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe drejtuesit e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, Veteranëve të Luftës, si dhe Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryesuesi i Kuvendit, z. Agim Kuleta, Nënkryetari i Komunës, z. Selim Pacolli, si dhe Kryetari i OVL-së në Prishtinë, z. Fatmir Sopi, mbajtën fjalë rasti me ç’rast ritheksuan rëndësinë e luftës çlirimtare që ka ndodhur në Kosovë, luftë kjo që ishte kulmi i angazhimit politik të shumë gjeneratave për shumë dekada.
Pas Seancës Solemne, delegacioni i përbërë nga përfaqësues të ekzekutivit, Kuvendit Komunal si dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, si dhe tek shtatorja e Heroit të Kombit, Zahir Pajazitit.
Datat si 11 Qershori, na bëjnë të reflektojmë në punën tonë të përditshme, ashtu që të mos e devijojmë rrugën të cilën e kanë trasuar dëshmorët, atë për liri e bashkim.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!