- 18 Jun 2018
Pas ftesës zyrtare për vizitë në Palermo, drejtori Yll Rugova është takuar me drejtoreshën e këtij bienali të artit, dhe ka zyrtarizuar aplikimin në emër të Komunës së Prishtinës.
Përndryshe çdo dy vjet Manifesta mbahet në një qytet tjetër evropian. Para dy vjetësh ka qenë në Zyrih, sivjet në Palermo, pas dy vjetësh në Marsej dhe nëse çdo gjë shkon në rregull në vitin 2022 do të mbahet në Prishtinë.
Kjo do të jetë mundësi e mirë për promovimin e artit pamor dhe artistëve në vendin tonë, duke e kthyer vëmendjen dhe sytë kah Prishtina si kryeqendër e denjë në Evropë. Këtë manifestim e vizitojnë diku 200,000 vizitorë, pra do të jetë mundësi e shkëlqyeshme edhe për zhvillim të turizmit.
Muajt në vijim janë shumë të rëndësishëm për këtë proces, kur edhe drejtoresha së bashku me bordin do ta vizitojnë Prishtinën, për të parë nga afër mundësitë e organizimit.