- 09 Aug 2018
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga nënkryetari Selim Pacolli dhe Genc Bashota, drejtor për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm e Gëzim Mehmeti, drejtor për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave takuan sot Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj e Zëvendës Ministrin Rexhep Kadriu.
Gjatë takimit u diskutuan projektet konkrete të cilat I takojnë bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Infrastrukturës. Pjesë e diskutimit ishin sfidat e projekteve të cilat duhet të zgjidhen këtë vit por edhe planifikimi I buxhetit të vitit të ardhshëm dhe gadishmëria e Qeverisë së Kosovës për të financuar disa projekte të rëndësishme për Kryeqytetin siç është rruga A. Me ndërtimin e kësaj rruge do të bëhet lidhja e lagjes së Spitalit dhe lagjes Kalabria , do ndikohet në shkarkimin e trafikut në qytet por edhe do të mundësohet vazhdimi i rrugës B, me ç’rast do të përfundohet një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës rrugore në Prishtinë. U diskutuan edhe projektet si ndërtimin e rrugës nga rrethi i Fushë Kosovës deri në lagjen Arbëria, zgjerimin e rrugës së Veterrnikut, si dhe projekte të tjera të ngjashme.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se takimet si ky janë me interes kur është në pyetje cilësia e jetës së qytetarëve, poashtu falenderoi Ministrin Lekaj për mbështetjen dhe theksoi se asnjëherë më parë nuk ka pasur përkrahje më të madhe nga qeveria se sa gjatë këtij mandati.