- 16 Aug 2018
Kryeqyteti i Kosovës në bashkëpunim me IFC të Bankës Botërore është duke punuar në realizimin e konceptit të Private Finance Iniciative (PFI) për ndërtimin e 5 shkollave në Prishtinë.
IFC, përmes konkursit të hapur, ka përzgjedhur kompaninë që do të përpilojë koncept-dizajnin e shkollave. Këtë konkurs e ka fituar konzorciumi Mazzanti, me përvojë shumëvjeçare të dizajnimin e objekteve arsimore nëpër botë.
Ideja është që struktura e shkollave të jetë e hapur dhe e gatshme për t’iu përshtatur kërkesave që mund të vijnë në të ardhmen, duke e lënë mundësinë për anekse varësisht nevojës. Secili nga modulet do të jetë fleksibil për ndryshime brenda të njëjtit lokacion.
Deri më tani janë përzgjedhur lokacionet në Mat, Sofali, Veternik dhe Arbëri; kurse në Kalabri jemi në proces e sipër.
Ekipi i IFC-së është duke e bërë studimin e fizibilitetit dhe duke e përpiluar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, ashtu që t’i dërgojë sa më parë në njësinë e Partneritetit Publiko-Privat (PPP), për ta dorëzuar tutje në komitetin e PPP-së.
Ndërtimi i këtyre 5 shkollave, në të njëjtën kohë, do ta ulë dukshëm numrin e nxënësve në shkollat e mbingarkuara, dhe si rrjedhojë do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kryeqytet.