Nesër në T.Q.P "Dodona" jepet shfaqja "Princi i vogël"

- 24 May 2019

Të shtunën, në ora 12:00 dhe 13:00, jepet shfaqja "Princi i vogël".

Shfaqja bazohet në veprën më të njohur të autorit francez, Antoine de Saint-Exupéry.

“Princi i vogël” është një prej kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë, e përkthyer në mbi 250 gjuhë e dialekte, shitur në mbi 250 milionë kopje.

Gjithnjë e më shumë, në çdo shoqëri - përfshirë Kosovën - po thellohet hendeku i keqkuptimeve mes gjeneratave. Mungesa e trajtimit në mënyrë adekuate të të rriturve ndaj fëmijëve, po e thellon edhe më tej këtë hendek. Kjo është mbase tema qendrore e veprës, por edhe arsyeja e nevojës së inskenimit të kësaj shfaqjeje në teatrin “Dodona”.

Princi jeton në një planet të vogël, për të cilin kujdeset vazhdimisht, me të cilin jeton në harmoni e nuk e ka asnjë problem. Dëshira e Princit për të ditur se çfarë ka në yjet që e mbushin qiellin, e shtynë atë që të marrë një rrugë: të udhëtojë në planetët e ndryshëm, të mësojë se kush jeton në to dhe se çfarë bëjnë banorët e viseve të reja që ai i viziton.

Kudo që shkon Princi, takon banorë të çuditshëm të cilët e thellojnë edhe më tej bindjen e tij se të rriturit vështirë kuptohen dhe se me të vërtetë janë të çuditshëm.

Në planetin e fundit, në Tokë, përveç njerëzve ai takon edhe kafshë të ndryshme. Ai më në fund kupton se ajo që është e rëndësishme në jetë nuk shihet me sy, por se shihet vetëm me zemër. Nga ky moment, Princi kërkon një mënyrë të kthehet në planetin e tij, tek Lulja që e pret.

Pra, “Princi i vogël” është një temë aktuale për shoqërinë e Kosovës, për të kuptuar më mirë fëmijët dhe për të punuar më shumë për të ardhmen e tyre. Bota e fëmijëve është përplot imagjinatë, mirësi e dashuri dhe këtë e tregon kjo vepër nga e cila secila gjeneratë mund të mësojë diçka.


Nga: Antoine de Saint-Exupéry
Dramatizimi dhe regjia: Valdet Rama

Konsulente: Melihate Qena

Luajnë: Roza Berisha-Fejzullahu, Avni Hoti, Valdet Rama

Kukullat dhe skenografia: Valdet Rama

Dizajni dhe fotografitë: Fahredin Spahija

Muzika: E përzgjedhur

Mjeshtër ndriçimi: Skender Latifi

Punëtorë skene: Bedri Maloku, Fadil Bekteshi, Albert Gashi

Për moshat: 3+

Për rezervime mund të thirrni në 038 230 623 çdo ditë pune, prej orës 10:00 deri 16:00, të shtunën prej orës 09:00 deri 11:00!

Eventi në facebook: Princi i vogël