Drejtuesit e Komunës së Prishtinës diskutuan me banorët e Marecit problemet e shëndetësisë dhe infrastrukturës

- 15 Dec 2014

Komuna e Prishtinës organizoi diskutim publik me banorët e fshatit Marec, fshat ky që përbëhet nga 12 lagje dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 112 m2. Para pjesëmarrësve të shumtë, planet dhe projektet konkrete të Komunës së Prishtinës i shpalosën Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi dhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia.

Kryetemë e këtij diskutimi ishte gjendja e mjerë infrastrukturore si dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore.

Në këtë fshat, ku mungojnë edhe linjat e komunikimit dhe ekziston një terr informativ, shumica e banorëve rezident punojnë në minierën e Artanës.

Gjatë këtij diskutimi, drejtori Hysen Durmishi tha se janë identifikuar të gjitha problemet infrastrukturore në këtë pjesë dhe se në këtë diskutim, bashkërisht me banorët, do të përcaktohen prioritetet se cilat janë nevojat më urgjente, pasi që tashmë janë projektuar disa rrugë që janë planifikuar në buxhetin e vitit 2015. Durmishi tha se një prej objektivave të Komunës së Prishtinës është edhe krijimi i kushteve për investime në këtë pjesë, si dhe kthimi i banorëve të shumtë që e kanë braktisur Marecin në mungesë të kushteve elementare, rrjedhimisht edhe perspektivës.

Po ashtu, Durmishi i njoftoi edhe lidhur me vendimin e Kuvendit Komunal që erdhi si rezultat i propozimit të kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, për kompensimin e dëmeve nga vërshimet dhe tha se këto mjete do të shfrytëzohen për sanimin e dëmeve infrastrukturore.

Drejtori Arben Vitia i njoftoi të pranishmit se tashmë kanë filluar procedurat lidhur me ambulanten në Viti.

“Unë e di se i keni dy probleme sa i përket fushës së shëndetësisë. Ambulanca e flotacionit që ka qenë më herët dhe ambulanca në Viti. Për ambulancën në Viti, tashmë kemi filluar procedurat dhe një kompani në bashkëpunim me Komunën do të vlerësojë se sa mjete duhet të ndahen për këtë investim, gjë që është paraparë në buxhetin e vitit 2015. Sa i përket ambulancës së flotacionit, pasi që nuk është pronë e Komunës, por e flotacionit, jemi duke shqyrtuar mundësitë që bashkërisht të shikojmë se çfarë mund të bëjmë në mënyrë që të plotësojmë nevojat e njerëzve që jetojnë në këtë pjesë, duke iu ofruar juve shërbime sa më të mira shëndetësore”, tha Vitia.

Asfaltimi i rrugës Viti-Bullaj, shtrimi i rrugës në lagjen Vrajoll, asfaltimi i rrugës Vidime-Lumi i Marecit, rruga Gërbesh në lagjen Pacaj, rruga Jasharaj dhe disa rrugë që lidhin lagje të tjera, ishin kryesisht kërkesat që u shtruan në këtë diskutim, ndërsa drejtori Durmishi i siguroi ata se çdo kërkesë e tyre do të trajtohet me seriozitet dhe se realizimi i këtyre projekteve do të fillojë gjatë viteve në vijim.