- 29 Oct 2014
Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me institutin “Riinvest” ka organizuar trajnimi i 24 grave fermere në lëmin e kultivimit dhe prodhimtarisë në sera
Fokus i veçantë i këtij projekti ishin gratë kryefamiljare, si dhe gratë që jetojnë në kushte të rënda sociale. Me këtë rast u përzgjodhën 24 gra fermere nga fshatrat e Komunës së Prishtinës, të cilat u trajnuan për bujqësi cilësore, ndërsa sot atyre iu ndanë certifikatat nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Me këtë rast Kryetari Ahmeti para të pranishmëve tha se ky program ka pasur për qëllim që përmes një trajnimi t’iu ndihmojmë familjet që kanë nevojë më së shumti për ndihmë, në rastin konkret për gratë që janë kryefamiljare apo mbajtëse të familjes.
“Në të ardhmen do të kemi edhe programe të tjera të cilat tashmë me Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik, Genc Bashotën, jemi duke i zhvilluar në mënyrë që të kemi sa më shumë ndihma të tilla. Ideja kryesore është që të fuqizojmë sa më shumë njerëzit që të jenë të pavarur në aspektin e qëndrueshmërisë ekonomike sepse nuk synojmë që përherë të kemi familje që kërkojnë ndihmë nga Komuna, ndihmë të cilën ne zakonisht e japim në formë të subvencioneve, asistencës sociale, por t’i aftësojmë familjet që ato të jenë vetë në gjendje ta sigurojnë mirëqenien e tyre”, tha kryetari Ahmeti.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjithashtu, i përgëzoi gratë pjesëmarrëse në këtë trajnim për guximin dhe aftësinë për t’u ballafaquar dhe për t’i tejkaluar sfidat, ndërsa u zotua se Komuna e Prishtinës në vazhdimësi do të jetë përkrahë tyre.
Synimi i projektit në trajnim e grave fermere me theks të veçantë të grave mbajtëse të familjes, ishte ngritja e mirëqenies së familjeve të tyre. Pas këtij trajnimi qëllimi kryesor i projektit është që për ato gra të cilat kanë tokë më shumë t’iu ndihmohet në rritjen e sasisë së të mbjellurave.
Po ashtu, Komuna e Prishtinës do të përkujdeset që produktet e kultivuara nga këto gra të trajnuara të plasohen në tregun e fermerëve.