- 18 Dec 2014
Në kuadër të fushatës për vetëdijesimin që sjellë përdorimi i mjeteve piroteknike, Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci, Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla dhe Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, organizuan një aktivitet me qëllim të vetëdijesimit lidhur me rrezikun e nga mjetet piroteknike.
Në këtë diskutim ku ishin të pranishëm mësimdhënës dhe nxënës nga të gjitha shkollat, drejtoresha Nagavci tha se kjo ligjëratë organizohet me qëllim të vetëdijesimit të nxënësve që të kenë kujdes me mjetet piroteknike.
“Ju duhet të festoni me mjete që nuk janë të rrezikshme për shëndetin tuaj dhe të shmangeni përdorimit të petardëve ose fishekzjarrëve që mund të jenë të rrezikshme. Komuna e Prishtinës në mënyrë të organizuar do të festojë shënimin e Vitit të Ri. Andaj, sidomos fëmijët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, ngaqë ka pasur raste të shumta që shkaku i pakujdesisë ata kanë pasur pasoja në shëndetin e tyre”, tha Nagavci.
Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla tha se ligji e përcakton qartë mënyrën e tregtimit dhe të përdorimit të mjeteve piroteknike.
“Ligji qartësisht e definon se kjo është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht e inspektoratit të tyre. Por, për shkak të sigurisë dhe të mirës së qytetarit të Komunës së Prishtinës, Drejtoria komunale Inspeksionit ka ofruar asistencë dhe kemi marrë angazhime konkrete që festat e fundvitit t’i bëjmë sa më festive, duke u munduar t’i parandalojmë aksidentet dhe lëndimet që kanë ndodhur gjatë viteve të kaluara. Ne si inspektoriat kemi bërë publik qëndrimin tonë që nuk do të lejojmë shitjen e mjeteve piroteknike në qendrën e qytetit, e sidomos në afërsi të shkollave pasi që sipas raporteve, shumica e të lindurve në vitet paraprake janë persona të moshës së mitur”, tha Sveçla.
Sveçla në këtë prezantim kërkoi nga stafi udhëheqës i shkollave, drejtorët, arsimtarët, mësuesit por edhe nga nxënësit e pranishëm që të ndikojnë në vetëdijesimin e përgjithshëm, posaçërisht të rinisë dhe fëmijëve për mënyrën e përdorimit por po ashtu edhe për nevojën që mjetet piroteknike të përdoren sa më pak. Ai bëri publik edhe numrat e inspektoratit që kushdo që vëren shkelje në këtë fushë të lajmërohet në mënyrë që intervenimi të jetë i menjëhershëm.
Numri i Inspektoratit ku qytetarët mund të lajmërohen për çfarëdo lloj parregullsie janë: 038 245 666 dhe 038 245 777.
Drejtori i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti para të pranishmëve tha se “Produkt Piroteknikë“ nënkupton çdo produkt i cili përmban substanca ekspoloduese apo përzierje të substancave ekspoloduese të destinuara për lirimin e nxehtësisë, dritës, zhurmës, gazit ose tymit, ose edhe kombinimin e efekteve të tilla nëpërmjet reaksionit vetjak kimik-ekzotermik.
Hoti u shpreh se rreptësishtë është e ndaluar shitja e produkteve piroteknike në vende të hapura publike (tregje, rrugë dhe sheshe). Ttë pranishmit patën rastin të informohen edhe se përdorimi i tyre kur në afërsi është ndonjë fëmijë, i moshuar, apo grua shtatzëne, mund të sjellë dëme të mëdha shëndetësore.
Në këtë prezantim u shfaq edhe një video e fushatës vetëdijësuese, të cilën mund ta shihni duke klikuar në lidhjen e mëposhtme.