- 14 Jan 2020
Me qëllim të menjanimit të keqintepretimeve të paqëllimshme dhe të qëllimshme, më poshtë keni sqarimet dhe dokumentet në lidhje me ndërtimin në afërsi të Badovcit.
1. Në shtator të vitit 2017 pala ka aplikuar për kushte ndërtimore në pronën private në afërsi të Badovcit. Pjesa më e madhe është jashta Zonës II së Liqenit. Në vitin 2018 Komuna ka marr Vendim Refuzues për Kushtet, siç e keni të bashkangjitur në foton e parë, për shkak të vendimit të qeverisë për zonën e mbrojtur. KUSHTET NDËRTIMORE NUK JANË LEJE. Janë kushtet për të aplikuar për leje.
2. Pala është ankuar në shkallën e dytë në Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria ka marr vendim ku e ka pranuar ankesën e palës dhe ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë sipas vendimit. Bashkangjitur në foto.
3. Në shkurt të vitit 2019, Komuna e Prishtinës ka lëshuar edhe një Vendim Refuzues për Kushtet Ndërtimore duke u bazuar më së shumti në vendimin e Qeverisë, të vitit 2013 për mbrojten e ujërave. Bashkangjitur!
4. Pala është ankuar prapë në shkallën e dytë në Ministri. Ministria i ka dhënë të drejtë palës dhe ka obliguar komunën që për parcelat e caktuara të veprojë sips PZHK dhe sa i përket vendimit të qeverisë së vitit 2013 të kërkojë pëlqimin mjedisor, sepse Zona II nuk është zonë e regjimit të rreptë dhe këto nuk janë objekte turistike apo të rrezikshme dhe se ministria e bën vlërësimin mjedisor kur të ketë aplikim nga pala. Bashkangjitur!
5. Në bazë të vendimit të shkallës së dytë, Komuna lëshon kushtet mirëpo duke potencuar sipas vendimit të Ministrisë në tre paragrafe se kushtet nuk vlejnë pa Pëlqimin Mjedisor nga Ministria si pjesë e vendimit të vitit 2013, dhe se pala nuk mund të aplikojë për leje pa siguruar pëlqimin paraprak apo lejen mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Pra, pala nuk ka leje, kushtet nuk janë leje, dhe pala ende nuk ka aplikuar për leje e as pëlqim mjedisor në Ministri. Pa marr pëlqimin mjedisor nga Ministria, Kushtet Ndërtimore nuk vlejnë. Bashkangjitur!
Pra edhe njëherë, po flasim për pronë private e cila në kohën kur është blerë ka qenë e paraparë për ndërtim me zhvillim të qëndrueshëm. Vetëm një pjesë e kësaj toke është në Zonën II ku nevojitet pëlqimi mjedisor nga Ministria. Pala sipas ligjit ka të drejtë të kërkojë të drejtat e veta që i takojnë sipas ligjit. Plani Zhvillimor Komunal është në fuqi që nga viti 2013.
Komuna e ka refuzuar dy herë vendimin për kushte në dy vite të ndryshme duke u bazuar në vendimin e qeverisë për mbrojtjen e ujërave. Ministria si shkallë e dytë dy herë pas vlerësimeve ligjore i ka dhënë të drejtë pales qe në Zonën II nuk është regjimi i rreptë dhe minsitria vendos se a janë marr masat e duhura për mbrojtjen e liqenit.
Edhe gjatë lëshimit të kushteve është potencuar që nuk mund të aplikohet për leje pa e marr pëlqimin paraprak nga Ministria në bazë të vendimit të vitit 2013 për mbrojtjen e ujërave. Pra kushtet nuk janë të vlefshme pa këtë pëlqim. Sipas informatave tona kompania e cila ka prezantuar zgjidhjen ende nuk ka aplikuar në Ministri të Mjedisit për Vlerësim Mjedisor.
Pra, mbrojtja është bërë sipas të gjitha normativave ligjore nga të gjitha institucionet.
Debati është i mirëpritur edhe pse me shumë keqinformime. Prishtina furnizohet nga tre burime kryesore – Batllava, Ujmani e Badovci. Nga dy të parat më shumë se sa nga Badovci, por realisht vetëm Badovci është në Komunën e Prishtinës. Kemi larguar të gjitha ujërat e zeza nga Liqeni i Badovcit me projektin me shtetin e Çekisë, dhe po ashtu nuk kemi lejuar asnjë ndërtim pa leje as në Zonën I, as në Zonën II, e as në Zonën III që i takon me territor komunës së Prishtinës.
Do të ishte mirë që e njejta situatë të jetë edhe në liqenin e Batllavës ku ka ende ndërtime pa leje në të gjitha zonat pa kurfarë mbrojtje. Në Liqenin e Batllavës kemi edhe mjete motorike në ujë të cilat janë rreptësisht të ndaluara në liqene artificiale. Ka edhe objekte turistike, si restorante të cilat janë të ndërtuara pothuajse në ujë. Pra edhe një herë Prishtina merr më shumë ujë nga Batllava se nga Badovci.
Nga Ujmani i marrim rreth 700 litra në sekondë, që në kanal të hapur të gjatë mbi 30 km vijnë deri në fabrikën e ujit në Shkabaj. Edhe kjo nuk është në teritorrin e Prishtinës prandaj nuk kemi informata për ndërtimet apo rrezikun potencial për ujin të cilin e përdorim në Prishtinë.
Pra, nuk jemi as të parët e as të fundit që kemi burime të ujit që mbrohen nga rreziqet. Si Komunë, në teritorrin tonë kemi ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar 24 orë ujë dhe po ashtu për ta mbrojtur liqenin nga rreziqet potenciale. Kemi zgjeruar pejsazhin e mbrojtur të Germisë në 2000 hektarë që kap pjesën më të madhe të Badovcit në teritorrin e komunës. Zona II nuk është e regjimit të rreptë dhe pëlqimin e jep ministria, edhe pse ne si komunë kemi refuzuar edhe këtë (ndoshta edhe pa bazë ligjore).
Por do të ishte mirë që të kemi debate të tilla për të gjitha resurset ujore e ku ndoshta kemi rrezik shumë më të madh se sa në Badovc. Tepër mirë që shoqëria jonë po vetëdijësohet për problemet dhe rreziqet ambientale por shpresojmë të jemi konsistent, të argumentuar dhe të bashkuar në mbrojtjen e ambientit.