- 31 Oct 2014
Sot u mbajt mbledhja e tetë e Kuvendit Komunal të Prishtinës
Një prej pika të rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i raportit financiar tremujor, për periudhën korrik- shtator 2014, si dhe propozimvendimi për lënien në dispozicion për diskutim publik të Propozimplanit për ndryshimin dhe plotësimin e Planit rregullues të lagjes “Sofalia” në Prishtinë.
Kryetari Ahmeti prezantoi raportin tre mujor buxhetor për periudhën korrik – shtator 2014, rrjedhimisht raportin nëntë mujor të vitit 2014.
“Sa i përket realizimit të të hyrave qëndrojmë mirë pothuajse në të gjitha kategoritë, por natyrisht problemi kryesor qëndron tek të hyrat prej ndërtimit. Tash e një kohë marrja e lejeve sipas planeve rregullative ka shkaktuar një adaptim tek kompanitë të cilat tashmë e dinë se duhet të marrin leje vetëm sipas planeve rregullative. Më duhet të potencojë që e kemi edhe numrin e aplikuesve për leje dhe po ashtu të rënies së tatimit në shitblerje të pronave, që do të thotë se në përgjithësi kemi një rënie ekonomike”, u shpreh kryetari Ahmeti, i cili theksoi se reformimi i mënyrës së dhënies së lejeve ka reflektuar që të hyrat nga taksa e lejeve të ndërtimit të jetë më e ulët.
Ahmeti u shpreh se sa i përket tatimit në pronën e paluajtshme vazhdon trendi pozitiv. Sipas tij, janë ndërmarrë masa konkrete dhe së fundmi janë bllokuar xhirollogaritë bankare të personave që kanë borxhe të mëdha ndaj Komunës së Prishtinës sa i përket tatimit në pronën e paluajtshme.
Sa i përket planifikimit dhe realizimit, në krahasim me vitin 2013, viti 2014 sjellë rezultate pozitive sa i përket mbledhjes së tatimit në pronë.
“Është një vit i tranzicionit, është një vit kur i kemi ndarë disa projekte me të cilat nuk jemi pajtuar. Si prioritet për tremujorin e ardhshëm, e kemi që mos të na mbesin paratë nga grantet qeveritare. Ndërsa të hyrat vetanake siç janë bartur nga viti i kaluar, mund të barten edhe në vitin tjetër. Trend pozitiv për këtë nëntëmujor është fakti që posaçërisht Drejtoria e Infrastrukturës dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike tashmë thuajse i kanë përfunduar të gjitha procedurat e prokurimit për një numër të madh të projekteve, të cilat do të realizohen në të ardhmen”, tha Ahmeti i cili u shpreh se prioritet gjatë tre muajve të ardhshëm do të jetë shpenzimi i fondeve nga granti qeveritar.
Ahmeti u shpreh se në muajin tetor, i cili nuk figuron në raport, ka pasur shpenzime në projektet kapitale në një shumë që e tejkalojnë shifrën 1 milionë euro, duke thënë se ky është një trend pozitiv që me optimizëm që granti qeveritar do të shpenzohet deri në fund të vitit.
Drejtori i Urbanizmit Liburn Aliu i informoi të pranishmit se janë mbajtur dëgjimet publike dhe janë ftuar banorët e lagjes “Sofali” lidhur me planin rregullues të kësaj lagjeje. Problemi kryesor sipas tij është kontrasti që ekziston midis Planit Zhvillimor Urban të miratuar nga Kuvendi i qeverisjes së kaluar, në shtator të vitit 2013 dhe planeve rregulluese, ndërsa ai theksoi se është duke u punuar që të ketë planifikim të mirëfilltë dhe qytetarët të informohen në cdo kohë se ku lejohet ndërtimi, e jo sic është praktikuar në të kaluarën.
Në këtë mbledhje gjithashtu u miratuan edhe pikat për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës së Prishtinës në shfrytëzim për Policinë e Kosovës, nga Kuvendi Komunal u miratua propozimvendimi për ngritjen e përmendores së Ismali Qemajlit si dhe të Osman Dumoshit, për caktimin e lokacionit për ndërtimin e stadiumit në Hajvali, propozimvendimi për ndërtimin e lokaleve afariste me partneritet publiko-privat dhe propozimvendimi për subvencionimin e mjeteve financiare për studimin e natyrës në Parkun e Gërmisë.
Po ashtu, në këtë mbledhje u miratua edhe propozimrregullorja për hapjen e kutive të ankesave, si dhe këshilltarët komunalë u informuan lidhur me zgjidhjen e rastit të pronave në lagjen “Dodona”, patën një informatë për fillimin e procesit edukativo – arsimor 2014 – 2015, informatë rreth mbjelljeve vjeshtore, etj.