- 29 Dec 2014
Komuna e Prishtinës ka organizuar edhe diskutimin e fundit publik për vitin 2014
Shumë nga të pranishmit u shprehën të kënaqur me rrjedhën e diskutimeve publike, pasi që, sic u shprehën, për herë të parë Komuna ka qenë e hapur për të dëgjuar problemet e tyre, si dhe gjatë këtij viti ata kanë pasur mundësi të njoftohen me projekte konkrete të Komunës së Prishtinës nga vetë ekipi qeverisës.
Optimistë se vitet e ardhshme do të forcojnë rendin dhe ligjin në kryeqytet, ata thanë se janë të vetëdijshëm se dëmet e shkaktuara nga vitet e kaluara, e veçanërisht në aspektin urbanistik, zaptimit të pronës komunale, si dhe kaosit në komunikacion, do të kërkojnë kohë për t’u sanuar.
Mirëpo, ata thanë se më në fund kanë shpresë se të gjithë do të trajtohen të barabartë para ligjit dhe më nuk do të ekzistojnë terme, si “të paprekshmit”, “të fortët”.
Si në çdo diskutim publik të realizuar deri më tani, edhe kësaj radhe ata raportuan për probleme të natyrave të ndryshme, siç ishin rasti i disa shtëpive të braktisura në lagjen Tophane që tashmë janë shndërruar në deponi të hedhurinave dhe në strehë të keqbërësve. Ata kërkuan nga autoritetet komunale që të ushtrojnë autoritetin e tyre në përputhje me ligjin, në mënyrë që të shmanget rreziku i ndonjë epidemie në këtë pjesë të kryeqytetit, si dhe të verifikohet edhe pronësia e atyre që i kanë lënë këto vendbanime të braktisura, në një gjendje të tillë.
Të pranishmit u shprehën të pakënaqur edhe me ligjin e legalizimit, pasi që sipas tyre është diskriminues dhe kërkuan që të formohen komisione të përkohshme, këshillëdhënëse, që do ta jepnin mendimin e tyre për ndërtesa të caktuara, të cilat në rrethana normale nuk do të pajiseshin me leje për shkak të mungesës së vendparkingjeve, hapësirave të gjelbra, etj.
Disa nga të pranishmit u shprehën të shqetësuar për mosfunksionimin e Bashkësive Lokale në disa pjesë të kryeqytetit, gjë që sjellë deri tek individualizimi i problemeve, si dhe mos gatishmëria për t’u marrë me problemet kolektive. Në këtë rast, autoritetet komunale u informuan se tashmë është në proces e sipër propozimrregullorja e re, e cila do të përcaktojë kriteret për Bashkësitë e Reja Lokale dhe se e njëjta pritet që të jetë e gatshme për votim në Kuvendin Komunal, brenda gjashtë muajsh.
Kërkesat kryesore, si rëndom kishin të bënin me infrastrukturën rrugore dhe rrjetin e kanalizimit, ndërsa secili prej tyre u njoftua me projektet konkrete infrastrukturore që janë paraparë të realizohen gjatë vitit 2015, e të cilat kryesisht janë mbështetur e projektuar në vetë kërkesat e banorëve.
Drejtorët e Komunës së Prishtinës, e theksuan domosdoshmërinë e bashkëveprimit me qytetarë për parandalimin e fenomeneve negative dhe zhvillimin e kryeqytetit në përgjithësi, si dhe kërkuan nga të pranishmit që në vazhdimësi të jetë aktiv me kërkesat e tyre, me qëllim të përmirësimit dhe lehtësimit të kushteve të jetës në kryeqytet, brenda kompetencave ligjore dhe mundësive buxhetore.