Vendimet e Komitetit të Krizës për trajtimin human të qenve endacak në Komunën e Prishtinës

- 30 Dec 2014

Pasi që kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ngriti shkallën e gatishmërisë emergjente lidhur me çështjen e qenve endacak, me qëllim që të zgjerohen kompetencat për veprim të shpejtë, sot u mbajt takimi i parë i Komitetit të Krizës lidhur me trajtimin human të qenve endacak.

Në takimin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, ku morën pjesë të gjithë anëtarët e komitetit, respektivisht përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, FSK - së, Agjencioni i Veterinarisë dhe i Ushqimit të Kosovës, përfaqësues të Universitetit të Prishtinës – Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinës, OJQ – të për mbrojtjen e kafshëve dhe ato kinologjike, si dhe dy institucione profesionale, u hartua plani operativ, si dhe u përpilua harta e vendndodhjes së qenve endacak. Gjithashtu, komiteti mori vendim që t’i trajtojë qentë endacak përmes metodave humane, si dhe të pastrojë deponitë ilegale.

Ngritja e gjendjes së gatishmërisë emergjente, u ndërmor me qëllim të parandalimit të incidenteve eventuale, pasi që një situatë e tillë paraqet rrezik për qytetarët dhe sigurinë publike.