- 20 Jan 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti dhe nënkryetari z. Dardan Sejdiu realizuan një takim pune me udhëheqësin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Kosovë, z. Anton Kobakov dhe bankierin e BERZH – it në Kosovë, z. Ariant Blakaj.
Në këtë takim i cili u realizua në vazhdën e bashkëpunimit midis Komunës së Prishtinës dhe BERZH – it, u diskutua mbi ecurinë e projektit të reformës së mirëfilltë të transportit publik, si dhe u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit në fushat e menaxhimit të mbeturinave, trajtimin e ujërave të zeza, efiçencës së energjisë në ndërtesat publike dhe ndriçimin publik, si dhe fusha dhe projekte tjera të cilat synohet të realizohen në të ardhmen nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me BERZH-in.