Inaugurohet vepra "trëndafili i bardhë" nga Sislej Xhafa si vepra e parë e projektit "Art në Hapësira Publike"

- 25 Sep 2020

Inauguruam veprën "trëndafili i bardhë" nga Sislej Xhafa si vepra e parë e projektit "Art në Hapësira Publike" që u vendos tek "Klubi i Pëllumbave".

Kjo vepër e mediumit skulpturë, trajton unitetin, diversitetin dhe kompleksitetin e gjendjes njerëzore. Ndër të tjera “trëndafili i bardhë” nënvizon gjendjen e fuqishme psikologjike të melankolisë dhe lehtësisë, dy aspekte që e karakterizojnë punën e artistit.


Sislej Xhafa aktualisht jeton dhe vepron në New York, ShBA, ndërkaq me punimet e tij ka qenë prezent në Bienale të Venedikut, në Muzeun Nacional të Arteve të Bukura në Kubë, në Les Moulins në Francë, në PRISM Misericordia në Kaliforni e shumë skena të tjera të tjera ndërkombëtare. Kohë pas kohe, artisti i kthehet vendlindjes me projekte të ndryshme artistike.


Komuna e Prishtinës në kuadër të projektit "Art në Hapësira Publike" do të vazhdojë bashkëpunimin dhe me artistë të tjerë për të ekspozuar vepra të artit bashkëkohor në hapësira publike, të cilat do të mbeten si pasuri artistike të qytetit.