- 30 Jan 2015
Komuna e Prishtinës njofton se numri i certifikatave të cilat lëshohen brenda ditës në shërbimin e gjendjes civile në Komunën e Prishtinës, duke përfshirë edhe Bashkësitë Lokale, arrin mesatarisht në 1.400 certifikata në ditë, shumica e të cilave lëshohen për banorët e Komunës së Prishtinës.
Mesatarisht, gjatë ditës në Bashkësinë Lokale në Ulpianë lëshohen 200 certifikata, në Bashkësinë Lokale në Dardani 100 certifikata, në Bashkësinë Lokale te Xhamia e Llapit 140 certifikata, në Bashkësinë Lokale në Taslixhe 60 certifikata, ndërsa në objektin e Komunës së Prishtinës 900 certifikata.
Shikuar në përqindje, 60 – 70 % e këtyre dokumenteve janë certifikata që qytetaret duhet t’i nxjerrin në rastet e udhëtimi jashtë vendit. Këtë më së miri e shpjegon fakti se shumica e prindërve në rastet kur i kërkojnë certifikatat për fëmijët e tyre, kërkojnë që edhe fotografia e fëmijës së tyre të jetë e bashkëngjitur në certifikatë.
Përndryshe, certifikata në të cilën është e bashkëngjitur fotografia ua mundëson fëmijëve që pa problem ta kalojnë kufirin me Serbinë. Shumë qytetarë që pajisen me certifikatë, vetë deklarohen në sportele se arsyeja e marrjes së certifikatave se ky dokument iu nevojitet për udhëtim.
Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar që të ofrojë shërbime sa më të shpejta dhe efikase për të gjithë qytetarët e saj.