- 02 Feb 2015
Me qëllim të lirimit të hapësirave publike dhe zgjerimit të zonave të gjelbra që është edhe një prej premtimeve të kryetarit Shpend Ahmeti, Komuna e Prishtinës organizoi diskutimin publik me banorët e lagjes “Dardania” për të diskutuar lidhur me projektin “Rregullimi i parkut dhe platove në lagjen Dardania”.
Ky projekt u prezantua në saje të bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës me organizatën “Helvetas Swiss Intercoopertion”, projekti DEMOS.
“Përmes këtyre projekteve, studentët e Universitetit të Prishtinës, Fakulteti i Arkitekturës, i zhvillojnë projektet hapësinore, të cilat i dorëzohen Drejtorisë së Infrastrukturës që pas detajizimit përfshihen në kuadër të projekteve që do të realizohen në të ardhmen. Para se këto projekte të përfundohen, ato do të diskutohen me banorët e lagjeve, në mënyrë që ju të kontribuoni me idetë dhe këshillat e juaja”, tha Arbnor Murati, këshilltar në Drejtorinë e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
Pas prezantimit të planit, banorët patën rastin t’i shprehin edhe mendimet e tyre. Disa kërkuan që pos gjelbërimit të paraparë me me plan, të përfshihen edhe pjesë rekreative. Ndërsa të tjerë kishin mendimin se duhet të ndërtohet një park dhe shëtitore.
Studentët e Fakultetit të Arkitekturës prezantuan para të pranishmëve në mënyrë të detajuar hartën e lagjeve dhe pjesët se ku dhe si planifikohen të realizohen këto projekte, në bazë të analizës së gjendjes ekzistuese dhe matjeve në përputhje me planet rregullative. Ata u shprehën se hapësirat në këtë pjesë të lagjes nuk mirëmbahen dhe se mungojnë ndriçimi, inventari urban (ulëset, shportat e bërllokut), etj. Po ashtu, studentët thanë se do të zgjidhet edhe problemi i një objekti të braktisur që ndodhet në mes të kësaj zone dhe që ka paraqitur problem për banorët e kësaj ane për shkak të fenomeve të ndryshme negative që është dyshuar se zhvillohen gjatë orëve të natës. Ky objekt do të rrënohet dhe hapësira do të shndërrohet në zonë të gjelbër.
Banorët u shprehën të kënaqur që autoritetet komunale i konsultojnë për planet që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme. Ata thanë se përkundër organizimit dhe iniciativave të shumta, asnjë kërkesë e tyre nuk është marrë në konsideratë nga administrata e kaluar, e cila nuk i ka përfillur asnjëherë kërkesat e banorëve të kësaj lagjeje. Ata u shprehën se si rezultat i kësaj gjendje, është shkatërruar infrastruktura dhe janë zvogëluar zonat e parkingjeve në këtë lagje të mbipopulluar me banorë.
Sa i përket kërkesës së parkingjeve, këshilltari në Drejtorinë e Urbanizmit, Arbnor Murati i informoi të pranishmit se Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2015 do të bëjë zonimin e parkingjeve në zonën e “Dardanisë”, “Tophane”, “Bregu i Diellit”, në mënyrë që të organizohen parkingjet mbitokësore, duke mos përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të shqyrtohen edhe alternativa të tjera. Murati i informoi banorët se zonat e parkingut në Prishtinë do të ndahen në tri zona: zona qendër, zona II dhe zona III. Me themelimin e kompanisë publike “Prishtina Parking”, do të përmirësohet sistemi por edhe do të rregullohet parkimi. Qëllimi, sipas Muratit, është që hapësirat aktuale të bëhen të shfrytëzueshme me mundësi të riorganizimit në të ardhmen.
Vlera e katër projekteve që do të realizohen në lagjen “Dardania” – dy plato (tek PTK dhe çerdhja) dhe dy parqe, llogaritet të jetë rreth 250.000 euro.
Projekte të ngjashme do të prezantohen edhe gjatë ditëve në vijim, në lagje të ndryshme të kryeqytetit ku është paraparë lirimi i hapësirave publike dhe zgjerimi i zonave të gjelbra.