- 06 Nov 2014
Sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi, filloi me inspektimin e punimeve të rrugëve në lagjen “Kalabria” ku kanë filluar punimet në rrugët "Jusuf Gërvalla", "Drini i Bardhë" dhe "Agim Cela".
Drejtori i Infrastrukturës Lokale, Hysen Durmishi vuri në pah se në lagjen "Kalabria" ka pasur probleme të shumta me planin rregullues dhe se në diskutim me banorët është vendosur që të gjitha rrugicat që ndodhen në këtë lagje të shtrohen me kubëza betoni si një fazë e përkohshme, derisa të realizohen planet rregulluese.
“Në këtë pjesë kemi pasur edhe disa probleme me kanalizime dhe aktualisht janë dy kontrata, është një front i gjerë i punimeve, mirëpo planifikojmë që gjatë dimrit t’i përfundojmë të gjitha këto rrugica si dhe t’i zgjidhim të gjitha problemet me kanalizimet që ndodhen në lagjen "Kalabria”, tha drejtori Durmishi.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se së shpejti lagja "Kalabria" do të lidhet me rrethrrotullimin në lagjen "Veternik", përmes një projekti të posaçëm, ndërsa deklaroi se tashmë kanë filluar punimet edhe në kolektorin, mbi lumin “Mat”, projekt kapital ky i cili do të zgjidhë një herë e përgjithmonë problemin e kundërmimit dhe ujërave të zeza.
Kryetari Ahmeti vizitoi edhe vendpunishten në “Rrugën e Stambollit”.
“Vitin e kaluar, qeverisja e kaluar ka nënshkruar kontratë për rrugën e “Stambollit”, pa pasur projekt paraprak përmes të cilit do të definoheshin qartë se çfarë investimi do të duhej të bëhej në këtë pjesë dhe nëse ka probleme pronësore, si dhe nëse janë planifikuar të gjitha në aspektin infrastrukturor duke përfshirë edhe kanalizimin. Në momentin kur e kemi marrë qeverisjen ne, nuk kemi mundur ta vazhdojmë me atë kontratë e cila është bërë shpejt e shpejt nga qeverisja e kaluar për shkak të fushatës zgjedhore, me ç’rast janë krijuar pritje tek qytetarët se kjo rrugë përfundon menjëherë. E kemi përgatitur fillimisht projektin e plotë e të detajuar se si duhet të bëhet kjo rrugë, jemi konsultuar edhe me KFOR-in, pasi që ndodhet shumë afër bazës së tyre, janë diskutuar po ashtu edhe disa çështje që kanë të bëjnë me kanalizimin, janë bërë të gjitha parallogaritjet dhe në fund tani e dimë saktë se sa do të na kushtojë kjo rrugë, ndërsa tanimë jemi në fazën kur kompania ka filluar punimet. Së pari, është duke u punuar kanalizimi, ndërsa shumë shpejt do të nis edhe tamponizimi i rrugës dhe në fund vihet shtresa e asfaltit”, tha Ahmeti.
“Rruga e Stambollit” si projekt do të kushtojë afërsisht 418.000 euro, pa pjesën e shpronësimeve për të cilën vendos Ministria e Financave. Punimet për këtë rrugë kryhen nga Kompania “Albaniku”.