Prezantohen gjetjet kryesore të tri hulumtimeve që ka realizuar Komuna e Prishtinës në lidhje me seroprevalencën me sëmundjen COVID – 19 në Prishtinë

- 02 Jul 2021

Sot, në konferencë për shtyp, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë z. Bujar Gashi, kemi prezantuar gjetjet kryesore të tri hulumtimeve që ka realizuar Komuna e Prishtinës në lidhje me seroprevalencën me sëmundjen COVID – 19 në Prishtinë. Këto hulumtime vijnë pas një pune gjashtëmujore, që prej momentit kur kemi bërë të ditur se do të realizojmë disa hulumtime në lidhje me COVID-19.
Të lumtur sot arritëm që të prezantojmë gjetjet rezultatet, sepse mendojmë se hulumtimet e tilla na ndihmojnë edhe neve si Komunë e Prishtinës, por edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës, që politikat në vijim në lidhje me pandeminë të mbështeten nga këto rezultate sepse na tregojnë më saktë sa njerëz kanë kaluar COVID–in.
Tek hulumtimi në lidhje me seroprevalencën e qytetarëve, rezultatet flasin për rreth 47% të qytetarëve të Prishtinës që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 qoftë me test serologjik apo CPR. Ky hulumtim përfshin të dhënat e mbledhura përgjatë muajve maj – qershor 2021, dhe mostra e studimit ka përfshirë 1255 qytetarë.
Sa i përket hulumtimit rreth seroprevalencës së punonjësve shëndetësor në Komunën e Prishtinës, del se rreth 48% e tyre kanë qenë rezultuar pozitiv me COVID-19, qoftë përmes testit serologjik apo CPR. Hulumtimi është realizuar përgjatë periudhës 14 tetor – 17 dhjetor 2020 dhe ka përfshirë një mostër prej 475 punëtorë shëndetësorë.
Raportet me gjetjet e hulumtimeve janë duke u përgatitur për botim, dhe së shpejti do të publikohen dhe shpërndahen.