- 04 Nov 2021
Prishtina e Secilit, nënkupton përveç tjerash siguri e mirëqenie për të gjithë dhe pa dallim.
Fëmijët tanë, sidomos ata në situata të vështira sociale, janë prioritet. Prandaj jemi të lumtur që në kuadër të Platformës për Mirëqenie Sociale “Prishtina e Secilit”, Drejtoria e Mirëqenies Sociale realizoi renovimin e hapësirave të strehimores “Shpresa dhe Shtëpitë e Fëmijëve në Kosovë”, e cila ofron strehim të përkohshëm për fëmijë të abuzuar dhe keqtrajtuar, fëmijë që janë viktima të dhunës në familje, pa përkujdesje prindërore, të neglizhuar dhe fëmijë të trafikimit.
Është e rëndësishme të theksohet se kjo strehimore është e vetmja e këtij lloji në Kosovë, dhe nuk do të ishte këtu, sikur të mos ekzistonte mundi dhe sakrifica e madhe e stafit të saj. Andaj, sot drejtori i Drejtorisë së Mirëqenies Sociale, Dren Kukaj në emër të Komunës sonë i shprehu falënderim drejtoreshës Valbona Çitaku dhe stafit të saj, për punën dhe angazhimin për fëmijët në situata më të vështira sociale.