- 10 Feb 2015
Sot, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ardian Gashi, priti në takim përfaqësuesit e nënkontraktorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban”.
Në këtë takim, kryetari Ahmeti i njoftoi të pranishmit se Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës mbetet e përkushtuar në parandalimin e kombi – busëve që transportojnë në mënyrë ilegale udhëtarët. Ai u shpreh se ndaj atyre që vazhdojnë ta ushtrojnë këtë veprimtari janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore që janë kompetencë e Komunës së Prishtinës.
Në vitin 2014, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës ka vazhduar me planin operativ për parandalimin e kombi-busëve ilegale në hyrje-daljet e kryeqytetit, Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Podujevë.
Masat e ndërmarra nga inspektorët kanë ndikuar që të zvogëlohet dukshëm numri i kombi – busëve ilegal, ndërsa qëllimi i këtyre planeve operative mbetet stabilizimi i transportit brenda kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjshmërisë, gjithnjë në të mirën e sigurisë së qytetarëve, ndërsa plani operativ do të vazhdojë deri në zbatimin e plotë të ligjit.
Pas këtij takimi, u dakordua që të kërkohet nga gjykatat dhe policia angazhim shtesë lidhur me transportuesit ilegal.