- 11 Feb 2015
Sot, Drejtoria e Inspekcionit me kërkesë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Komunës së Prishtinës, ka filluar largimin e stendat e afishimit që janë pengesë në komunikacion.
Kjo është pjesë e politikave të kryetarit Shpend Ahmeti, i cili përmes programit të tij qeverisës synon që qytetin e Prishtinës t’ia kthejë këmbësorëve dhe publikut.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit më parë ka bërë identifikimin e stendave të afishimit dhe “citylights” që janë pengesë në komunikacion, duke rrezikuar sidomos këmbësorët, si dhe i ka dërguar kërkesë kompanisë përgjegjëse për largimin e tyre. Pasi që një kërkesë e tillë nuk ka hasur në mirëkuptim, më pas vendimi për largimin e tyre i është dërguar Drejtorisë së Inspekcionit, e cila ka filluar largimin e tyre nga pjesë të ndryshme të qytetit.
“Po flasim për ato billborde dhe “citylight” të cilët ndodhen kryesisht nëpër udhëkryqet e qytetit dhe paraqesin pengesë për komunikacion. Vendimi këtyre kompanive iu është dërguar para disa muajsh. Ne prapë kemi kontaktuar me kompaninë duke ia tërhequr vërejtje dhe pasi nuk e ka realizuar kërkesën e inspektoratit, jeni duke e zbatuar vendimin”, tha drejtori i Drejtorisë së Inspecionit, Xhelal Sveçla.
Shpenzimet për largimin e stendave të afishimit do t’i faturohen kompanisë përgjegjësë, e cila nuk e ka bërë largimin e tyre sipas kërkesës së Komunës së Prishtinës.
Gjatë ditës së sotme Drejtoria e Inspekcionit do të intervenojë për largimin e stendave të afishimit që ndodhen në udhëkryqet e rrugëve “Agim Ramadani”, “Eqrem Qabej”, “Xhorxh Bush”, “Bill Klinton”, “Fehmi Lladrovci”, “Luan Haradinaj”, “Garibaldi”, etj.