- 13 Feb 2015
Në një konferencë për media, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu ofroi informata rreth zhvillimeve të fundit lidhur me ndërmarrjen publike rajonale “Pastrimi”
Ai tha se mbetet shqetësues mosveprimi i institucioneve kompetente kundrejt vendimeve që duhet zbatuar si dhe për rrugën që duhet ndjekur që qyteti i Prishtinës të pastrohet prej mbeturinave, por edhe ndërmarrja “Pastrimi” të pastrohet nga problemet që janë akumuluar gjatë 15 viteve, si rezultat i një qeverisje nepotiste, klienteliste, kleptokrate, familjare që është instaluar gjatë qeverisjeve të kaluara.
Ndërsa, këshilltari komunal i Lëvizjes Vetëvendosje!, njëkohësisht aksionar i Kuvendit Komunal në ndërmarrjen rajonale pastrimit, Genc Sherifi, tha se pas zgjedhjes së Prof. Dr Bardhyl Nocit si kryesues i bordit të drejtorëve të ndërmarrjes Publike Pastrimi, bordi i drejtorëve është mbledhur dhe e ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrje, Feim Salihun.
“Komisioni komunal i aksionerëve, po ashtu, ka bërë edhe një padi për konfikt administrativ që kundërligjshëm ia ka zgjatur mandatit Feim Salihut, me 20 dhjetor të vitit 2013. Lidhur me këtë kemi edhe vendimin e gjykatës, e cila e ka quajtur kundërligjor zgjatjen e mandatit . Çështja e ekzekutimit të vendimit të gjykatës është çështje që është e rregulluar me ligj. Vendimi i nxjerrë është titull ekzekutiv dhe si i tillë është i plotfuqishëm dhe ekzekutiv ndërsa policia nuk na ka ofruar asistencë për zbatimin e këtij vendimi”, tha Sherifi. Ai u shpreh se kryesuesi i bordit të drejtorëve Bardhyl Noci është kërcënuar nga Feim Salihu, me ç’rast z.Noci e ka lajmëruar këtë rast në polici dhe ka dorëzuar kallëzim penal në prokurori. Mirëpo, sipas tij, as policia e as prokuroria nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Tash bëhen 14 muaj që Komuna e Prishtinës ka paraqitur raste të ndryshme në institucionet përkatëse, ndërsa nuk kemi asnjë veprim konkret, tha Sherifi.
Nënkryetari Sejdiu tha se përkundër këtyre fakteve, institucionet kompetente nuk po i zbatojnë vendimet, gjë që ia mundëson mbajtjen e pozitës Feim Salihut.
“Kemi dy akte plotësisht legjitime: aktin e bordit të drejtorëve, i cili e shkarkoi Feim Salihun dhe masën e përkohshme të gjykatës, e cila përcakton se ky person nuk është drejtor ngaqë procedurat përmes së cilave është përzgjedhur, nuk janë ligjore, gjë që konfirmohen edhe nga masa e përkohshme e gjykatës. Në momentin që kërkojmë zbatimin e kësaj mase nga policia e Kosovës, ajo kthen përgjigje se nuk janë këtu për implementimin e urdhrave të gjykatës! Një paradoks i llojit të vet. Pra, gjykata merr vendim, ndërsa policia nuk vepron – e keni parasysh ministër i MPB – së tash është Skënder Hyseni (LDK), sikundërse edhe Feim Salihu që ka qenë asamblist i LDK – së. Pra, në çdo hap kemi sfidim të sistemit të drejtësisë, të implementimit të veprimeve dhe vendimeve ligjore të Komunës së Prishtinës dhe të gjykatave kompetente. Situata është e thjeshtë, e kemi një uzurpator i cili nuk e lëshon vendin, përkundër vendimeve të gjykatës”, tha nënkryetari Sejdiu.
Sipas nënkryetarit Sejdiu, sistemi i drejtësisë dhe organi për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore tashmë janë shpërfaqur që janë vetëm në funksion të një interesi politik. Ai u shpreh se, si qeverisje komunale nuk kanë rrugë tjetër pos të insistojnë në zbatimin e vendimeve tona.
Ai u shpreh se situata me mbeturina në qytet vazhdon të jetë shumë brengosëse ngaqë mbeturinat nuk janë duke u mbledhur as me kohë e as me rregull, nuk mirëmbahen hapësirat publike dhe në të njëjtën kohë kemi një insistim të pushtetit qendror të mbajë në pozitë një uzurpator siç është Feim Salihu në pozitën e drejtorit të ndërmarrjes “Pastrimi”.
Nënkryetari Sejdiu u shpreh se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet që kryeqytetit të kapet prej të tillëve.