Kryetari Ahmeti kthen vendimet e datës 5 shkurt për shqyrtim në Kuvendin Komunal të Prishtinës

- 19 Feb 2015

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka kërkuar shqyrtimin e vendimeve që janë marrë në mbledhjen e datës 5 shkurt 2015 në cilësinë e akteve komunale pasi që, sipas tij, të njëjtat cenojnë legjislacionet në fuqi për shkak se seanca është ndërprerë nga ana e kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe e njëjta është vazhduar duke anashkaluar të gjitha dispozitat që përcaktojnë thirrjen e një mbledhjeje të rregullt ose të jashtëzakonshme, si dhe për arsye se nëntë anëtarë të Kuvendit Komunal ishin në konflikt interesi.

Kjo kërkesë bazohet në nenin 58 pika k të Ligjit për Vetëqeverisje Komunale ku kryetari ka të drejtë të kërkojë nga Kuvendi shqyrtimin e akteve komunale kur mendohet se ato cënojnë ligjshmërinë në vend.

Pra, rrjedhimisht asnjë informacion nuk i është dërguar asambleistëve pas momentit të ndërprerjes së seancës, për t’i lajmëruar se seanca do të vazhdojë ndërsa njëkohësisht nuk është informuar as ekzekutivi i Komunës së Prishtinës për vazhdimin e seancës. Një seancë e tillë është vazhduar pa u konsultuar kryesuesi i seancës as me kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe grupet e asambleistëve.
Një seancë e tillë mund të konsiderohet si jo ligjore mbi këto dy baza: sepse është thirr seancë jashtë normave dhe ngaqë në vendimmarrje kanë marrë pjesë nëntë këshilltarë komunal, përfshirja e të cilëve në votim paraqet konflikt të hapur interesi.
“Neni 43, paragrafi i Ligjit 03 /L-040 për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë se anëtarët e këtij organi legjislativ duhet të njoftohen paraprakisht me shkrim shtatë (7) ditë para mbajtjes së seancës së rregullt. Gjithashtu, dispozita ligjore pasuese e po këtij ligji, që ndërlidhet me mbledhjet e jashtëzakonshme përkatësisht neni 44, paragrafi 1 kushtëzon mbajtjen e një mbledhje të tillë me kërkesën e bërë me shkrim nga së paku një e treta e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këtij organi. Tutje, për mbledhjen e jashtëzakonshme paragrafi 4 i nenit 44 të ligjit të lartëcekur, kërkon që anëtarët e këtij organi dhe publiku duhet të njoftohen së paku tre (3') ditë para mbajtjes së kësaj mbledhje.

Në lidhje me vendimet për aksionarët e ndërmarrjeve publike, në mbështetje të mbrojtjes së ligjshmërisë kundrejt vendimeve që mund të dalin nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, duhet të ritheksojmë ashtu siç dhe e kemi kërkuar në fillim të mbajtjes së kësaj seance të këtij organi, se kërkesat e parashtruara nga z. Ylli Hoxha, asambleist i këtij organi në lidhje me konfliktet e interesit për nëntë (9) anëtarë të këtij organi. Ju keni qenë i obliguar në bazë të nenin 38 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe nenit 5 mbi fushëveprimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, të veproni duke, së paku shqyrtuar, ashtu që të parandaloni votimin e anëtarëve në konflikt interesi, veprim të cilin nuk e keni ndërmarrë”, thuhet, mes tjerash, në shkresën e kryetarit Ahmeti.

Të bashkëngjitur e gjeni edhe shkresën e plotë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Shqyrtimi i aktit komunal[pdf]