- 19 Feb 2015
Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti priti në takim kryetarin e Bashkisë së Ballshit, z. Ilir Çela dhe nënkryetarin e kësaj Bashkie z. Robert Shehaj.
Gjatë këtij takimi, kryetari Ahmeti i falënderojë për vizitën dhe i njoftoi lidhur me zhvillimet e përgjithshme në vend por edhe u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit.
“Edhe si Lëvizje VETËVENDOSJE!, por edhe unë si kryetar i Komunës së Prishtinës jemi zotuar që si prioritet ta kemi bashkëpunimin me Shqipërinë dhe bashkimin në të ardhmen. Po mundohemi që sa më shumë ta thellojmë bashkëpunimin me Bashkitë në Shqipëri. Është një Asociacion i Komunave me kryetarët shqiptarë që deri më tani ka mbajtur shumë pak takime. Ideja ka qenë që të bëjmë një thellim të organizimit në Komunat dhe Bashkitë shqiptare në përgjithësi, ku do të diskutohej për mundësitë e bashkëpunimit kulturor, arsimor, dhe për fusha të tjera në të cilat do të mund të angazhoheshim bashkërisht”, tha kryetari Ahmeti gjatë këtij takimi.
Ndërsa, kryetari i Bashkisë së Ballshit, z. Ilir Çela e njoftoi kryetarin Ahmeti se profili i Bashkisë që e udhëheq ai, nuk ka shumë banorë aktualisht, mirëpo me reformën territoriale kësaj Bashkie do t’i bashkëngjiten edhe rreth tetë njësi të tjera, komuna më të vogla.
“Ndonëse nuk është një numër i madh i popullsisë, zona e jonë është në një shtrirje gjeografike shumë të madhe, është zonë industriale. Aty dhe nxirret dhe prodhohet nafta. Resurset ekonomike janë me premisa shumë të mira që të krijohen kushte të një zhvillimi të qëndrueshëm”, tha z. Çela, i cili e faëlndëroi kryetarin Ahmeti për pritjen dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunime të mëtutjeshme.