- 24 Feb 2015
Me 42 vota për, 5 kundër dhe asnjë abstenim, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, u votua propozimbuxheti i Komunës së Prishtinës
Në këtë mbledhje, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha se buxheti i cili është prezantuar kësaj here para asambleistëve të Kuvendit Komunal, është në përputhje me qarkoren buxhetore të Ministrisë së Financave, ndërsa është shpërputhje me buxhetin i cili është votuar nga Kuvendi Komunal në afatet ligjore të përcaktuara me ligj.
“Buxheti prej 69 milion eurove, të cilin keni pasur rast ta shihni dhe analizoni është buxhet i cili projekton ambicie dhe zhvillim. Është një buxhet i cili në asnjë rrethanë nuk e rëndon buxhetin qendror sepse të hyrat e paramenduara shtesë, prej 6 milion eurove, janë të hyra të cilat vijnë prej të hyrave vetanake. Me rëndësi është që ta kuptojmë se sivjet është viti i parë në të cilin bëhet kalkulimi buxhetor me regjistrimin e popullatës që është bërë në vitin 2011. Nga granti qeveritar hiqen 5 milion euro ngaqë pretendohet se qyteti i Prishtinës i shërben vetëm 200 mijë banorë, gjë që me kalkulimet më të vogla vërehet që është e pasaktë. Prishtina shërben për mbi 350 mijë banorë”, tha Sejdiu . Sipas tij, kjo ndodh ngaqë qeveria e Republikës së Kosovës pretendon se të hyrat vetanake të planifikuara nga Komuna e Prishtinës, janë përtej qarkores buxhetore, përtej planifikimeve të nivelit qendror për nivelin komunal. Sejdiu tha se në këto rrethana Prishtinës i bëhet një padrejtësi e madhe.
“Gjatë vitit 2014 vetëm nga 51 dëgjimet publike të cilat i ka organizuar Komuna e Prishtinës, rreth 9 dëgjime publike kanë qenë vetëm për buxhet. Me këtë rast, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe drejtorët e tjerë kanë vizituar të gjitha lagjet dhe fshatrat e Komunës së Prishtinës në mënyrë që të kuptojnë nevojat e qytetarëve anë e kënd territorit të kryeqytetit që bashkërisht me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe nevojat e qytetit të ndërtojmë një buxhet ambicioz”, tha Sejdiu duke nënvijëzuar se buxheti i planifikuar më parë nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej 69 milionë eurove është buxhet zhvillimor , ndërsa ky i tanishmi, prej 62 milionë eurove është buxhet i letrës i ndërtuar në zyrat e Qeverisë , është buxhet i qarkoreve dhe tabelave të “Exell – it” që janë ndërtuar në bazë të formulave të bazuara në të kaluarën , e jo në përputhje me nevojat e kryeqytetit.
Buxheti i komunës së Prishtinës për vitin 2015 do të jetë 62,706,756 Euro. Ky buxhet do të financohet nga grandi i përgjithshëm (22.9%), grandi specifik për arsim (21.9%) grandi specifik për shëndetësi (6.8%) dhe nga të hyrat vetjake të komunës (48.6%).
Grandi i përgjithshëm i ndarë për Komunën e Prishtinës për vitin 2015 është në vlerë prej 15,799,192 Euro, grandi specifik për arsim për vitin 2015 është në vlerë prej 15,042,433 Euro, ndërsa grandi specifik për shëndetësi është në vlerë prej 4,702,522. Planifikimi për të hyrat vetjake të komunës së Prishtinës për vitin 2015 është 27,162,609 Euro.