- 25 Feb 2015
Sot u mbajt Olimpiada e Matematikës në Komunën e Prishtinës, në të cilën morën pjesë rreth 80 nxënës të klasave IX – XII nga të gjitha shkollat publike dhe private.
Me këtë rast, secila shkollë është përfaqësuar me nxënësit që i ka përzgjedhur për këtë garë.
Ndërkohë, nga secila klasë do të zgjidhen nga katër nxënës që do ta përfaqësojnë Komunën e Prishtinës në Olimpiadën e Matematikës në nivel të Kosovës, e cila do të fillojë me datën 1 mars, 2015.
“Drejtoria e Arsimit e ka marrë përsipër organizimin e olimpiadës matematikore. Janë angazhuar mësimdhënësit e lëndës së matematikës të cilët na kanë dorëzuar një numër të pyetjeve nga të cilat më pas, ne si drejtori, kemi bërë përpilimin e testeve. Mbajtja e testit është administruar sot nga zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit dhe mësimdhënësve të matematikës, ndërsa nesër do të publikohen rezultatet e nxënësve të përzgjedhur për prezantimin e Komunës së Prishtinës në olimpiadën në nivel vendi”, tha drejtorja e Drejtorisë së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Nagavci tha se për të gjithë nxënësit që ishin pjesëmarrës në olimpiadën e matematikës, do të ndahen mirënjohje.