- 05 Mar 2015
Duke filluar nga dita e hënë, 9 mars 2015, në shkollat e mesme dhe të ulëta të Komunës së Prishtinës do të fillojnë vizitat sistematike mjekësore për nxënësit e klasave të I – ra, V – ta dhe të IX – ta.
Gjatë këtij vitit është paraparë një model edhe më i sofistikuar me një spektër më të gjerë të këtyre vizitave. Të gjitha rezultatet do të mblidhen në mënyrë digjitale, falë donacionit nga qeveria e Çekisë.
Me këtë qëllim, sot drejtorja e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia patën një takim me drejtorët e të gjitha shkollave të Komunës së Prishtinës me qëllim të koordinimit në mënyrë që këto vizita të jenë sa më të suksesshme.
Me datë 9 mars, vizitat do të fillojnë në këto shkolla: “Emin Duraku”, “Hilmi Rakovica”, “Elena Gjika”, “Nazim Gafuri” , “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemajli” , “Meto Bjraktari” dhe “Pavarësia”.
Ndërsa, orari i vizitave sistematike shëndetësore për shkollat e tjera do të publikohet me kohë.
Duke e ditur rëndësinë e këtyre vizitave për shëndetin e fëmijëve dhe parandalimin e shumë sëmundjeve eventuale, Komuna e Prishtinës kërkon bashkëpunim edhe nga prindërit në mënyrë që t’i parapërgatitin më herët fëmijët e tyre lidhur me këto vizita që janë në të mirën e shëndetit të tyre.